Prokuroria të hetojë rastin e shtëpisë së Taravarit
VMRO-DPMNE-ja opozitare edhe sot ka vazhduar me akuzat ndaj qeverisë dhe partnerëve të ardhshëm të kryeministrit Kovaçevski në qeveri. Nga kjo parti, cak i sulmeve sërish ishte shtëpia e kreut të ASH-së, Arben Taravari në lagjen Taftalixhe në Karposh të Shkupit.
Nëpërmjet një video xhirimi të shtëpisë së kreut të ASH Arben Taravarit dhe kandidatit të propozuar për Ministër të Shëndetësisë nga ASH, Fatmir Mexhiti VMRO-DPMNE kërkon zbardhjen e rastit.
“Arben Taravari ka raportuar në vitin 2021 se ka blerë një shtëpi për 150 mijë euro. Gjegjësisht, bëhet fjalë për një shtëpi në lagjen elitare Taftalixhe të Shkupit, prej 260 m2, ku sipërfaqet e banimit shkojnë nga 1500 deri në 2000 euro. Kur bëhet matematika e thjeshtë, shtëpia e Taravarit shkon deri në gjysmë milioni euro. Pas vërtetimit të fakteve se shtëpia e Taravarit kap vlerën deri në gjysmë milioni euro, lind pyetja se kush ka interes dhe pse ta shesë shtëpinë për 150 mijë euro dhe me këtë të humbasë 350 mijë euro”, thuhet në reagimin e partisë së Mickoskit.
Nga kjo parti përmendin edhe shtëpinë e kandidatit të propozuar për Ministër të Shëndetësisë nga ASH, Fatmir Mexhiti, në të njëjtën lagje me Taravarin.
“Pikërisht përballë shtëpisë së Taravarit ndodhet një shtëpi në pronësi të kumbarit të tij, Fatmir Mexhitit, ministër i propozuar i Shëndetësisë. Si i blenë Taravari dhe Mexhiti dy shtëpitë e tyre të blera në një vit e gjysmë dhe a janë pjesë e një tregu politik? A e sollën Kovaçevski dhe Grubi Taravarin në qeveri përmes korrupsionit politik”, thuhet më tej në reagim.
Prokuroia Publike sipas VMRO-së, duhet të marrë iniciativën dhe të hetojë rastin e shtëpive në lagjen elitare në Taftalixhe të Shkupit. Më herët nga ASH njoftuan se shtëpia është marr në vitin 2021 dhe nuk ka të bëj asgje lidhur me akuzat e VMRO-DPMNE-së/KlanMacedonia