VMRO: Heqim dorë nga qeveria teknike, nëse BDI nuk do të ketë kryeministër teknik

VMRO-ja opozitare është shprehur e gatshme për të hequr dorë nga qeveria teknike, por për këtë, siç përcjell KlanM, kjo parti ka disa kushte.

“VMRO-DPMNE menjëherë do të heqë dorë nga qeveria teknike, nëse partia kriminale BDI nuk ka kryeministër teknik dhe LSD ka guximin t’i thotë mjaft BDI-së” – thuhet në reagimin e partisë së Mickoskit.

Nga VMRO thonë se do të ishte turp për shtetin që kryeministrin ta ketë një parti e tipit të BDI-së, përditshmëria e të cilëve, sipas VMRO-së, është krimi me LSDM-në.

“Prandaj VMRO-DPMNE është e gatshme të heqë dorë menjëherë nga qeveria teknike, nëse BDI-ja heq dorë nga një kryeministër teknik. BDI është një parti, e cila është sinonim i krimit në Maqedoni, një parti ku kryetari i tyre, Ali Ahmeti, rrëmbeu miliona për vete dhe familjen e tij dhe ka nipër me ‘shpirt sipërmarrës’, që blen prona të vlefshme në qendër të Shkupit për 30 milionë euro. Parti ku Artan Grubi hap kazino, me tipa të turbullt nga Bullgaria, vëllai i tij blen dyqane në qendrën strikte të Shkupit, hotele në Kodrën e Diellit dhe këtu janë edhe qiratë milionëshe, të cilat i paguan Lotaria. Partia ku Bujar Osmani, shpërndan tenderë miliona dollarësh për donatorët e partisë, ndërsa drejtori i Inspektoratit të Ndërtimit, Fatmir Arifi, pas shkeljes së ligjit dhe mosdeklarimit të pasurisë, akuzoi punonjësit e burimeve njerëzore si fajtorë. Një parti e tillë e zhytur në krim nuk mund të ketë një zyrtar të zakonshëm në qeveri, e lëre më një kryeministër teknik”, thuhet në reagimin e VMRO-së./KlanMacedonia

Lexo gjithashtu
Total
0
Share