LSDM: Do të ketë debat publik për ndryshimet kushtetuese
VMRO – DPMNE-ja propozon që Maqedonia e Veriut të kalojë nga shtet multietnik në shtet unitar. Zëdhënësja e partisë, Marija Miteva, deklaroi se, VMRO-DPMNE i sheh si zgjidhje të mirë tezat e LSDM-së dhe BDI-së se mund të bëhen ndryshime kushtetuese, sipas shembullit në Kroaci, duke shtuar se, për VMRO – DPMNE-në, kjo do të ishte e zbatueshme dhe e pranueshme. Me këtë model Maqedonia do të jetë shtet i një kombi dhe pakicave të tij.
“I bëjmë ofertë pushtetit që gjatë ndryshimit të Kushtetutës sonë, të zbatojmë modelin kroat në tërësi sa i përket preambulës. Me atë, Maqedonia do ta ndryshojë karakterin multietnik në unitar dhe me këtë Maqedonia do të jetë shtet i popullit maqedonas dhe shtet të cilit i përkasin pakicat nacionale, të cilat jetojnë këtu”, deklaroi Marija Miteva nga VMR-DPMNE.
Nga VMRO u shprehën se, këtë model në këtë formë do ta mbështesnin menjëherë pa asnjë kushtëzim.
Ndërkohë, nga LSDM duke komentuar ofertën e opozitës maqedonase, thanë se presin që VMRO – DPMNE dhe Mickoski të jenë pjesë e grupeve punuese për përgatitjen e ndryshimeve kushtuese dhe aty të japin kontributin dhe propozimet e tyre.
“Me fillimin e procesit në Kuvend, do të hapet edhe debat publik, do të ketë takime, mbledhje, grupe punuese, në të cilat Hristijan Mickoski dhe VMRO – DPMNE do të mund të japin propozime. Ky proces duhet të jetë transparent, më inkluziv dhe të vijmë deri te zgjidhja më e mirë, me të cilën do të vijojë ndryshimi i Kushtetutës dhe me atë vazhdimin e rrugës evropiane të shtetit tonë”, tha Darko Kaevski nga LSDM.
Maqedonia e Veriut duhet që deri në nëntor të këtij viti, të miratojë ndryshimet kushtetuese, të cilat parashohin përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e Kushtetutës maqedonase, në mënyrë që të mund të hap negociatat për anëtarësim në BE./KlanMacedonia