VMRO-DPMNE dhe LSDM me akuza të ndërsjella për skandalin në Onkologji

Rasti i Onkologjisë ka përplasur sërish dy partitë më të mëdha maqedonase LSDM dhe VMRO – DPMNE. Opozita maqedonase, vazhdon ta akuzojë pushtetit për skandalin që u zbulua në këtë klinikë, ku personeli mjekësor ka shitur në tregun e zi barnat e shtrenjta për kancer, derisa pacientëve në klinikë u janë dhënë terapi joadekuate.

Sipas VMRO – DPMNE-së, deri tani duhej të kishte përgjegjësi dhe jo të pritet 6 muaj.

“Pushteti 6 vite ka vjedhur nga të sëmurët me kancer. Në vend të terapisë, disa pacientë kanë marrë solucion fiziologjik, që njerëzit e afërt me LSDM-në të përfitojnë. Problemi në Onkologji dhe për një tregti me shumicë të barnave të preferuar të pushtetit do të zgjidhet në periudhën e mëtejmë”, thonë nga VMRO-DPMNE.

Ndërkohë, LSDM i është përgjigjur këtyre akuzave, duke thënë se, gjithçka që ka thënë DPMNE rreth këtij rasti ka rezultuar gënjeshtër. LSDM kërkon nga opozita maqedonase që t’u kërkojë falje qytetarëve për të gjitha gënjeshtrat dhe manipulimet. Siç i kanë quajtur ata.

“DPMNE dy muaj keqpërdori punën e Komisionit Anketues. U thirrën dëshmitarë, u harxhuan para të qytetarëve, u keqpërdor Kuvendi i Maqedoni, u përhapën gënjeshtra dhe në fund, dështoi puna e Komisionit Hetimor. Në fund, komisioni nuk dha asnjë rezultat, ndërsa për shkak të manipulimeve dhe keqpërdorimeve të DPMNE-së, nuk u miratua asnjë konkluzion”, tha Nenad Koçan nga LSDM.

Prokuroria po zhvillon hetim rreth këtij rasti. Së fundmi, ajo ka kërkuar masa kujdesi për 5 persona të dyshuar se janë të përfshirë në këtë skandal, prej të cilëve edhe dy ish drejtorë të klinikës./tvklan.mk

Lexo gjithashtu
Total
0
Share