VMRO-DPMNE 510.000 qytetarë jetojnë në varfëri

LSDM: POLITIKAT EKONOMIKE QEVERITARE MBROJTËN STANDARDIN E QYTETARËVE

30% të njerëzve apo 510.000 qytetarë jetojnë në varfëri – thonë nga VMRO-DPMNE-ja duke bërë fajtor politikat e gabuara të qeverisë. Sipas opozitës, në vitin 2022 janë mbyllur 6.857 kompani, prej të cilëve 5 komapni të mëdha me mbi 250 të punësuar.

VMRO-DPMNE thotë se projeksionet e FMN-së flasin se Maqedonia është e fundit pas Kosovës, Shqipërisë dhe Malit të Zi, sa i takon rritjes ekonomike.

“FMN-ja parashikoi rritje ekonomike prej 2.5% për këtë vit, kurse projeksioni për Shqipërinë është 3.6% apo 50% më shumë se Maqedonia. Rritja ekonomike në Mal të Zi, këtë vit, parashikohet të jetë 4.5%. Për shkak të paaftësisë së Qeverisë, Maqedonia mbetet edhe pas Kosovës, ku vlerësohet se rritja ekonomike do të jetë 3.8%. E gjithë kjo përfundon me inflacionin e lartë që për 50% është më e lartë se në eurozonë”, tha Marija Miteva.

Por, ndryshe mendojnë socialdemokratët. Sipas tyre politikat qeveritare gjatë krizave globale, post-Covid, energjetike dhe ekonomike, si dhe luftës në kontinentin evropian, kanë mbrojtur standardin e qytetarëve.

“Me mbi 110 masa, të miratuara në pikun e krizës, të shpërndarë përmes 6 pakove me vlerë 1.2 miliardë euro, drejtpërdrejt u amortizuan pasojat e krizave. Njëkohësishy me zgjidhje sistematike për pagën minimale dhe metedologjinë e harmonizimit të pensioneve u sigurua stabiliteti, parashikueshmëria dhe rritja e vazhdueshme e të ardhurave të qytetarëve”, thonë nga LSDM.

Socialdemokratët thonë se me masat qeveritare, shkalla e inflacionit në shtator ka rënë në minimumin 20 mujor prej 6.6%, kurse vitin e ardhshëm duhet të kthehet në 2 deri 3%, sikurse para krizave.

Sipas LSDM-së, paga minimale prej 8.800 denarë në vitin 2017 u rrit në 20.175, paga mesatare nga 22.445 tani është 36.000 denarë, kurse pensioni mesatar është rritur për 47% kurse ai minimal për 60%.\KlanMacedonia

Lexo gjithashtu
Total
0
Share