LUFTA KUNDËR MAFISË URBANE PËRPLAS VMRO-në DHE BDI-në
Lufta kundër mafisë urbane dhe oligarkëve ka përplasur pushtetin dhe opozitën. Është VMRO-DPMNE-ja ajo që sot sërsih akuzon Bashkimin Demokratik për Integrim për lidhjet e ngushta me pjestarët të mafisë urbane.
Sipas VMRO-së BDI-ja e Ali Ahmetit nuk ka të drejtë të flasë për këtë temë.
“Nuk ka kompani që ndërton e që nuk është në një fare mënyre e ndërlidhur me BDI-në”, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së. BDI është në panik për shkak se oligarkët e tyre si dhëndri i Ahmetit, familja e Musa Xhaferit, djemtë e ish-funksionarëve dhe Pucko Petrol nuk do të mund realizojnë atë që e kanë menduar. Nuk ka më ndërtime pa leje në Malin Sharr dhe në vende tjera. Dhe kur jemi te mafia urbane, Artan Grubi nuk do të bëjë më marrëveshje të rrugëve”, thonë nga kjo parti.
E kësaj komunikate të VMRO-së i janë përgjigjur nga Bashkimi Demokratik për Integrim.
Nga partia e Ahmetit për Klan Maqedoni thonë se vetingu i monitoruar nga ndërkombëtarët është mekanizmi i vetëm që do të japë rezultat në këtë luftë.
“Gjuetia e shtrigave që ka për qëllim defokusim të opinionit nga dështimet e njëpasnjëshme, zgjidhet vetëm me veting të monitoruar ndërkombëtarisht për të gjithë politikanët, gjykatësit, prokurorët, oligarkët si dhe për procesin e tranzicionit dhe privatizimit në 32 vitet e pas pavarësisë”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Ndryshe nga Bashkimi Demokratik për Integrim e propozuan mekanizmin e vetingut të monitoruar nga ndërkombëtarët si masë për të ndalur korrupsionin dhe krimin dhe për tua kthyer besimin qytetarëve tek shteti dhe politikanët.
Sipas tyre, pushteti ka frikë nga kjo masë sepse është e lidhur ngushtë me veprimtarinë kriminale të oligarkëve të mafias urbane në komuna, duke i bërë atë oligarkët më të pasur në mënyrë të paligjshme në këtë vend. /tvklan.mk/