LSDM dhe BDI i kthejnë institucionet shtetërore në degë të kompanive të tyre, aparati shtetëror përdoret për të krijuar kushte të mira biznesi për kompanitë e njerëzve në pushtet dhe për të penguar zhvillimin e të gjithë të tjerëve – akuzuan sot nga VMRO-DPMNE-ja opozitare.
Mile Lefkov, deputet nga kjo parti në në një dalje publike sot, lëshoi akuza ndaj zëvendëskryeministrit Artan Grubi, për pasurim në kurriz të institucioneve publike, përcjell Klan Macedonia.
Sipas deputetit Lefkov, një i punësuar në kompaninë private të vëllait të Artan Grubit ka themeluar kompani, me të ciën më pas ka fituar akreditim nga Byroja për Metrologji në veprimtarinë e kalibrimit të dispenzuesve të karburantit.
“Familja Grubi grumbullon biznese dhe pasuri milionëshe, ndërsa njerëzit varfërohen, të sëmurët luten për ilaçe, studentët për libra dhe të varfërit për ushqim, të gjitha këto nëpërmjet vëllait të Artan Grubit, Veton Grubit, pronar i ETC Travel. Veton Grubi është njeriu rreth të cilit familja Grubi ka grumbulluar pasurinë e saj”, thotë Lefkov.
Sipas tij, disa biznese janë të lidhura drejtpërdrejt ose tërthorazi me Veton Grubin, vëlla i zëvendëskryeministrit Artan Grubi.
“Më datë 16.09.2021, Ermir Imami nga Dibra, punonjës i ETC Travel në pronësi të Veton Grubit, vëllait të Artan Grubit, themeloi kompaninë për kalibrimin e dispenzuesve të karburantit në pikat e karburantit Metrolab. Metrolab, për një periudhë të shkurtër kohore, pra më datë 02.02.2022, vetëm 4 muaj pas themelimit, merr akreditimin për kryerjen e inspektimit të matësve të volumit dhe prurjeve për lëndët djegëse të lëngëta dhe gazin e lëngshëm të naftës – kalibrimi i pompave. Akreditimi jepet nga Byroja e Metrologjisë, ku drejtoreshë është Merita Mustafai nga BDI”, tha Mile Lefkov.
Më tej, siç akuzon Lefkov nga VMRO-DPMNE, vendimi për masën dhe mënyrën e pagesës së tarifës për shërbimet e ofruara nga Byroja e Metrologjisë është ndryshuar dy herë në 2 vitet e fundit. Një herë vendimi për ndryshim mban firmën e Grubit dhe herën e dytë nga zëvendëskryeministri tjetër, Fatmir Bytyqi.
Pronari i Metrolab, sipas deputetit opozitar, edhe pse është shef i kompanisë së përpunimit të metaleve, edhe një vit pas themelimit të kompanisë mbetet punëtor sporteli në kompaninë e vëllait të Grubit.
“A ndikoi Artan Grubi dy herë në dy vjet që të ndryshonte vendimin për masën e tarifës për kompanitë që kryejnë kalibrimin e instrumenteve për derdhjen e derivateve të naftës dhe gazit në pikat e karburantit dhe a e bëri këtë për një pozicion më të mirë të Metrolab, themeluar nga një punonjës i vëllait të tij?
Ermir Imami, i cili ka qenë sportelist në ETC Travel pranë Grubit, a ka themeluar kompaninë Metrolab sepse ka ditur për ndryshimet dhe a fshihet interesi i familjes Grubi pas gjithë kësaj?”, pyet deputeti Mile Lefkov nga VMRO-DPMNE./KlanMacedonia