Berisha: VV degradon luftën e UÇK-së – Muja kërkon ligj të veçantë
Partia Demokratike e Kosovës, e ka akuzuar Qeverinë e Albin Kurtit se është kundër vlera të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje e mohon këtë gjë. “Lufta” ndërmjet PDK-së e VV-së ka të bëjë me Ligjin e Pagës Minimale, pasi jashtë saj mbetën veteranët e UÇK-së. Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, theksoi se partia në pushtet ka mungesë të patriotizmit, pasi sipas tij, shigjetat i drejton kah UÇK-ja.
“Tash kur është ardh puna me u miratuar Ligji i Buxhetit, debati më i madh kinse shpenzimet e paarsyeshme ka qenë buxheti që është ndërlidhur me veteranët. Këtë e kanë bërë të gjitha partitë që nuk e kanë në ADN-në e tyre Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Andaj është e turpshme kjo që po mundohen çdo herë me adresuar shigjetat drejt një kategorie e të cilat do duhej i tërë spektri shoqëror e gjitha institucionet të tregojnë respekt. Unë mendoj se këta kompleksin deficiti patriotik dhe tani mundohen ta kompensojnë atë duke u munduar t’i anatemojnë, t’i degradojnë dhe në sy të opinionit ta krijojnë këtë opinion se çfarë e kanë krijuar tash, se kush janë këta dhe çfarë kanë bërë”, tha deputeti i PDK-së, Hisen Berisha.
Por kundër këtij deklarimi është shprehur deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja. Ai thotë se veteranët meritojnë benefite tjera e jo të futën në pagën minimale. Ai thotë se ndërlidhja e tyre me pagën minimale është tërhequr në kohën e Qeverisë Mustafa.
“Në rrjedhën e gjërave, duhet të gjejmë fillin e kësaj pune. Në vitin 2014 ka qenë iniciativa ligjore për veteranët mbi të cilin ligj janë bërë disa benefite për kategoritë e dala nga lufta, posaçërisht për veteranët, mirëpo aty u lidh u bë ligji bazik ku u lidh paga minimale me beneficioneve të veteranëve, kjo ka qenë në vitin 2014. Mirëpo më 30 dhjetor të vitit 2016 në një marrëveshje të LDK-së-PDK-së dhe OVL-së, vonë natën në Kuvend ishte bërë një marrëveshje që ajo të hiqej, për shkak se Qeveria Mustafa kishte një kushtëzim nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe vërtetë ishte ashtu, dhe e hoqën e fshijnë. Tash nuk ekziston ajo lidhje”, tha Armend Muja, deputet i VV-së.
Muja ka kërkuar që veteranët të trajtohen me ligj të veçantë, teksa beson se aty do t’i marrin benefitet e merituara./KlanMacedonia
https://youtu.be/XCV3CxZumlo