Izet Mexhiti, Arben Taravari dhe Afrim Gashi nga koalicioni VLEN kanë uruar qytetarët maqedonas me rastin e festës së 11 Tetorit – Ditës së kryengritjes popullore kundër fashizmit.
Mexhiti dhe Taravari janë shprehur shkurt në mesazhet e tyre, teksa Gashi shkruan:
Të nderuar qytetarë,
Në emër të deputetëve dhe në emrin tim personal, ju uroj 11 Tetorin – ditën e kryengritjes popullore.
Në këtë ditë, e kujtojmë dhe e festojmë luftën heroike dhe të paepur të luftëtarëve për lirinë e vendit tonë. Pavarësisht angazhimeve, pengesave dhe vështirësive që hasën në luftën e tyre, ata qëndruan të fortë dhe luftuan për lirinë në të cilën jetojmë sot.
Sot, Republika e Maqedonisë së Veriut është përsëri në rrugën e duhur. Ajo është pjesë e NATO-s dhe krah për krah me aleatët tanë më të fuqishëm.
Si një brez i ri politikanësh, ne e kemi përgjegjësinë ta vazhdojmë luftën e drejtë – sot luftojmë për standarde më të mira, për prosperitet, për një të ardhme evropiane të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Në këtë betejë, mund të kemi sukses vetëm nëse jemi të bashkuar dhe të unifikuar.
Duke ju uruar 11 Tetorin, ftoj përsëri të gjithë qytetarët – maqedonas, shqiptarë, turq, romë, vlleh, boshnjak dhe të gjithë të tjerët – të bashkohemi dhe të fitojmë betejën për një të ardhme më të mirë për të gjithë ne.