Vazhdojnë përplasjet e partive shqiptare VLEN – BDI- nga VLEN akuzojnë BDI dhe LSDM se larguan vendin nga agjenda e BE-së. Nga Fronti Evropian thonë se VLEN është bërë tellall i Mickoskit dhe Stoilkoviçit
Partitë shqiptare në pozitë dhe opozitë kanë vazhduar me përplasje. Kolicioni VLEN që është pjesë e Qeverisë, e ka quajtur BDI-në fajtore që vendi nuk ka përparuar në agjendën evropiane. Sipas tyre, LSDM dhe BDI po jetojnë në iluzion, pasi siç janë shprehur nga ky koalicion, njëri beson se ka monopol mbi agjendën euroatlantike, tjetri se ka monopol mbi partneritetin strategjik me SHBA-të.
“Është koha që LSDM-ja dhe BDI-ja të dalin nga filmi i rremë në të cilin jetojnë. Ne nuk jemi si ata që të përvetësojmë qëllime strategjike nacionale që për nga natyra e rëndësisë tejkalojnë mandatin e një Qeverie. Megjithatë, duhet të pranojnë se qeverisja e tyre e papërgjegjshme dhe korruptive e ka larguar më shumë vendin nga BE-ja. Agjenda jonë reformuese është një konfirmim i drejtpërdrejtë se ne po punojmë për të dinamizuar anëtarësimin e plotë në BE”, thanë nga VLEN.
Ndërkaq, Arben Zeqiri nga Fronti Evropian, thotë se VLEN të gjitha dështimet e tyre kanë filluar ti mbulojnë me mohimin e të drejtave ligjore dhe kushtetuese të shqiptarëve.
“Thjeshtë, kanë filluar të flasin me gjuhën e Mickoskit dhe Stoilkoviçit. Janë bërë tellall të tyre dhe flasin për tensione e destabilizim, duke fajsuar herë shqiptarët në përgjithësi, herë parti politike në veçanti. Paramendoni, të drejtën për reagim, kundërshtim, kritikat dhe vërrejtjet si vlera të demokracisë, i quajnë ashtu siç do Mickoski, skenare për destabilizim. Sipas tyre dhe padronit të tyre, shqiptarët duhet të pranojnë çdo degradim dhe të heshtin, të mos reagojnë e të mos kundërshtojnë, me një fjalë të bëhemi të gjithë si ata e të durojmë”, tha Arben Zeqiri nga Fronti Evropian.
Ndryshe, vendi ka filluar shumë kohë më pare procesin eruointegrues.
Momentalisht, procesi mbetet o bllokuar, për shkak të kontestit me Bullgarinë. Vendi duhet të vendos pakicën bullgare në kushtetutën e vendit, në mënyrë që Bullgaria të heqë veton për hapjen e kapitujve të negociatave. /tvklan.mk