Vizita e Ramës në Prishtinë, Kurti: I kërkova të mbajmë mbledhjen e 2 qeverive, jo takime të tjera

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti thotë se i ka kërkuar Kryeministrit Edi Rama që të zhvillojnë mbledhjen e përbashkët të dy qeverive më 6 Korrik, kur Rama do të jetë në Prishtinë në kuadër të turit që do të zhvillojë në Ballkan.

Në një konferencë shtypi me gazetarët, Kurti bëri të ditur se me rëndësi konsideron mbledhjen e përbashkët për firmosjen e marrëveshjeve të lënë përgjysmë pas anulimit të mbledhjes së 2 qeverive më 14 Qershor, dhe jo takime të tjera.

“Jam në kontakt të drejtpërdrejt me Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama. E di që do vijë në një vizitë në Prishtinë në kuadër të turit ballkanik. Miqësisht i kam kërkuar që meqënëse do vijë që ta mbajmë edhe mbledhjen e 2 qeverive e cila u anulua pa arsyeshëm ndonëse ishte parashikuar më 14 Qershor në Gjakovë. 13 marrëveshje do duhet të nënshkruheshin të cilat tashmë kanë ngelur në sirtar.

Në mënyrë që këto marrëveshje të nënshkruhen, unë i kam propozuar Kryeministrit Rama që meqë po vjen këtë javë le ta mbajmë edhe një mbledhje të përbashkët të dy qeverive tona të nënshkruajmë ato marrëveshje të dakorduara që janë në sirtar e t’i zbatojmë një e orë e më parë.

Procesi i Berlinit është shumë i rëndësishëm dhe nuk ka në Ballkan lider si Kryeministri i Kosovës që e ka mbështetur Procesin e Berlinit.

Nëse Kryeministri Edi Rama insiston në anulimin e mbledhjes së dy qeverive, unë ngelem te qëndrimi që ja kam dhënë se për takimin e ne të dyve ne kemi kontakt të drejtpërdrjet, ne takohemi shumë shpesh.

Nuk lëngon raporti Kosovë-Shqipëri, por dhe demokracia e paqja e siguria në Ballkan pse nuk takohet Kryeministri i Kosovës me atë të Shqipërisë. Por për shkak se mbledhjet e dy qeverive tona janë anuluar pa arsye.

Unë e konsideroj të arsyeshme një mbledhje të përbashkët të dy qerverive, por jo takime të tjera”, u shpreh Kryeministri Albin Kurti.

Kryeministri shqiptar ka planifikuar që në datën 6 dhe 7 Korrik të takohet me 4 homologët e Maqedonisë së Veriut, Kosovës, Bosnjes e Malit të Zi si dhe Presidentin e Serbisë.

Turin do ta nisë nga Shkupi dhe pas takimit me Dimitar Kovaçevskin do të udhëtojë drejt Prishtinës ku do të takohet me Albin Kurtin. Është parashikuar që Rama dhe Kurti të takohen rreth orës 16:00 dhe më pas pritet të ketë dhe një komunikim me mediat, por nuk dihet nëse ky takim do të ndodhë pas deklaratës së sotme të Albin Kurtit.

Rama dhe stafi i tij kanë vendosur të qëndrojnë natën e 6 Korrikut në Prishtinë.

/tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share