Vizita e parë e Sekretarit Amerikan të Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme

Blinken – Osmani: Si partnerë strategjikë dhe aleatë të NATO-s, mbetemi të bashkuar në mbështetjen tonë për Ukrainën

Kryesuesi i OSBE-së dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, sot realizoi takim me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Entoni Blinken, i cili është në vizitën e tij të parë në Maqedoninë e Veriut.

Në fokus të bisedimeve ishin ngjarjet aktuale ndërkombëtare, me fokus të veçantë në situatën në Ukrainë, ku bashkëbiseduesit dënuan fuqishëm agresionin ushtarak rus dhe shprehën mbështetje të fuqishme për popullin ukrainas.

“Si partnerë strategjikë dhe aleatë të NATO-s, qëndrojmë të bashkuar në mbështetjen për Ukrainën dhe mbrojtjen e vlerave dhe parimeve demokratike. Dënojmë fuqishëm agresionin ushtarak rus, i cili paraqet sulm ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës, si dhe kërcënim serioz për paqen dhe stabilitetin në botë”, tha Osmani.

Bashkëbiseduesit iu referuan edhe kryesimit tonë me OSBE-në, me ç’rast u theksuan angazhimet e Maqedonisë së Veriut për tejkalimin e sfidave me të cilat ballafaqohet organizata, si dhe mbështetja e përgjithshme e SHBA-së në këtë proces. Ata së bashku përshëndetën vendimin që i hap rrugën Maltës për të qenë kryesuesja e ardhshme e OSBE-së në vitin 2024, duke kapërcyer kështu krizën me të cilën përballej organizata dhe paraqet sukses të rëndësishëm për kryesimin tonë dhe të ardhmen e OSBE-së.

Takimi i Ministrit Osmani me Sekretarin e Shtetit, Blinken është me rëndësi historike sepse bëhet fjalë për vizitën e parë të një Sekretari të Shtetit të SHBA-së në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Vizita është edhe një konfirmim për marrëdhënien e re ndërmjet dy diplomacive që filloi vitin e kaluar kur Osmani dhe Blinken së bashku lançuan Dialogun Strategjik ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe SHBA-së, në Uashington. /KlanMacedonia/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share