Vizita e Gashit në Kosovë, opozita maqedonase kërkon përgjegjësi – VMRO-DPMNE: Gashi zbatoi protokollet dhe ligjet!

Opozita maqedonase kërkon përgjigje nga institucionet kompetente në lidhje me rastin e kryeparlamentarit Afrim Gashi, për të cilin u raportuara se ka udhëtuar në kolonë me vetura të tjera në një dasëm në Kosovë. Ata kanë akuzuar kryeministrin Mickoski se edhe ne kete rast po mbron Afrim Gashin.

“Toshkovski dhe MPB të përgjigjen sa më shpejt, a ka pasur Gashi me vete dokument udhëtimi dhe dokumentacion me vete për këtë udhëtim për të marrë nuse? Mbi çfarë baze është dhënë dokumenti dhe për sa ditë? Ne kërkojmë që dokumentet, natyrisht nëse ekzistojnë, të bëhen publike. Qytetarët nuk u besojnë më fjalëve të Toshkovskit dhe MPB-së, duhen dëshmi”, tha Bogdanka Kuzeska, zëdhënëse e LSDM-së.

Kuzeska po ashtu ka pyetur se sa është etike ky veprim i kryeparlamentarit.

Në lidhje me këtë, nga VLEN janë përgjigjur se është pjesë e traditës që të shkosh të marrësh nuse dhe nuk shohin diçka të çuditshme në këtë veprim.

“Është pjesë e traditës të cilën gjithmonë e kemi praktikuar. Nuk është që bëhet ndonjë pengesë në komunikacion. Është pjesë e traditës sonë që gjithmonë praktikohet në çdo dasëm tonë”, tha Fari Iseni nga VLEN.

Ndërkaq, nga partia e Majta kanë thënë se, kjo është edhe një arsye shtesë që VMRO – DPMNE të votojë interpelancën ndaj Gashit.

“Privilegjet e funksionarëve janë një nxitje për sjellje të kota nga zyrtarët, qofshin të zgjedhur apo të emëruar. Abuzimi i tyre i përditshëm ka qenë problematik edhe në qeverisjen e kaluar, por të njëjtën gjë vazhdojnë ta bëjnë edhe zyrtarët e qeverisë së re”, deklaruan nga E Majta.

Nga ana tjetër, VMRO – DPMNE ka komentuar se, në përputhje me ligjet, Gashi duhet të jetë vazhdimisht i shoqëruar nga sigurimi dhe nëse do të vepronte ndryshe, do të bënte shkelje ligjore.

“Një bartës i një pozicioni si ai që bart Afrim Gashi shoqërohet me protokoll të detyrueshëm dhe përcjellje të vazhdueshme. Situata e kundërt, mospasja e shoqërimit sigurimit paraqet shkelje e cila sanksionohet. Sipas LSDM-së, a duhej të shkelen ligjet në rastin e Afrim Gashit? Ky vend ka institucione”, thanë nga VMRO-DPMNE.

Kujtojmë se, të dielën në media u publikua një video, ku shihet makina e Gashit në një kolonë dasme në vendkalimin kufitar Bllacë. MPB-ja u prononcua se është duke kontrolluar nëse kryeparlamentari, ka shkelur ligjin ne kete rast.  /tvklan.mk

Lexo gjithashtu
Total
0
Share