Vizita e Presidentes Ursula fon der Lajen në Ballkanin Perëndimor, sipas Komisionit Evropian, është një udhëtim I zakonshëm, kurse takimet do të fokusohen në procesin e zgjerimit të BE-së dhe të ashtuquajturin Plani I Rritjes së Ballkanit Perëndimor.
Vizita ndodh para publikimit të raporteve vjetore për progresin e zgjerimit. Sipas planit aktual, Komisioni Evropian, javën e ardhshme duhet t`i prezantojë këto vlerësime për progresin e reformave.
Gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, para më shumë se 20 viteve, iu premtua anëtarësimi në BE. Sot, ata janë në shkallë të ndryshme në procesin eurointegrues. Nga java e kaluar BE-ja dhe Shqipëria negociojnë për pjesën thelbësore të aderimit. Negociohet për 35 kapituj, që definojnë fushat juridike, ku Shqipëria duhet ta harmonizojë sistemin e saj juridik me atë të BE-së.
Mali I Zi dhe Serbia rreth një dekade negociojnë për pjesën thelbësore të anëtarësimit, Maqedonia e Veriut ende është në pritje të nisjes së negociatave, kurse për Bosnjë e Hercegovinën mungojnë hapa të caktuara para nisjes së negociatave. Për momentin Kosova vlerësohet vetëm si kandidat potencial.
Procesi I aderimit në BE kërkon vendim unanim të 27 vendeve anëtare të BE-së.
Por, BE-ja mbështet rajonin. Plani I Rritjes është një pako prej 6 miliradë eurove për periudhën 2024 – 2027, që përbëhet prej 4 miliardë euro kredi dhe 2 miliardë euro grante. Qëllimi është që vendet e Ballkanit Perëndimor, para se të bëhen anëtare, duhet të afrohen me BE-në dhe tregun e brendshëm evropian.