Visar Ymeri: Qeveria e Kosovës është në rrugë të duhur për investimet në sektorin energjisë

Në një intervistë për emisionin Klan Debat me gazetaren Biljana Georgievska, analisti nga Kosova, Visar Ymeri ka folur për mbrojtjen e mjedisit dhe burimet e rinovueshme të energjisë. Sipas Ymerit, ideja e mbrojtjes së mjedisit jetësor është shumë e re në rajonin tonë, ndërsa ende sipas tij nuk po diskutohet për drejtësinë mjedisore. Qeveria e Kosovës, sipas Ymerit, po bën punë të mirë në fushën e investimeve në sektorin e energjisë, në veçanti në burimet e ripërtëritshme energjetike.

“Në Kosovë, pjesa më e madhe, mbi 95% e energjisë ende vjen nga termocentralet që djegin thëngjill. Tash e dy vjet kemi një qeveri të re, e cila flet shumë për tranzicionin energjetik që duhet të ndodhë në Kosovë. Por në atë tranzicion duhet të jemi të kujdesshëm për dy gjëra: e para është se si ky tranzicion energjetik do të ndikojë në pjesë të veçanta të vendit dhe në komunitete të veçanta në shoqërinë tonë. Dhe gjëja e dytë është se si do të sigurohemi që ekspertiza dhe njohuritë e njerëzve që janë tashmë në atë sektor do të shpërndahen në pjesë të ndryshme të shoqërisë, veçanërisht nëse do të kemi parasysh përfaqësimin gjinor. Sepse, tradicionalisht, është diçka që vjen nga e kaluara, dhe ne kemi një të kaluar të përbashkët në ish-Jugosllavi ku sektori i energjisë konsiderohej si “punë burrash”. Në këtë kuptim, qeveria aktuale në Kosovë është në rrugën e duhur, sepse në investimet në sektorin e energjisë, veçanërisht në burimet e ripërtëritshme, kanë futur një komponent të veçantë që lidhet drejtpërdrejt me pjesëmarrjen e më shumë grave në këtë industri”, deklaroi Visar Ymeri./KlanMacedonia

 

Lexo gjithashtu
Total
0
Share