Vijojnë luftimet Izrael-Gaza: Vritet një tjetër komandant i lartë 

OKB BËN THIRRJE PËR ARMËPUSHIM 

 Vijojnë sulmet e ndërsjellta mes Izraelit dhe Gazës. Më shumë se 400 raketa u hodhën nga Gaza në drejtim të Izraelit. Kryeministri Benjamin Netanyahu në lidhje me sulmet në Gaza u shpreh se fushata nuk ka përfunduar ende. OKB bën thirrje që të vendoset armëpushimi.

Izraeli goditi objektivat e Xhihadit Islamik në Gaza për të dytën herë duke vrarë nëj tjetër komandant të lartë të Xhihadit Islamik.

Militantët palestinezë lëshuan qindra raketa përtej kufirit, duke ndezur sirenat e sulmit ajror deri në Tel Aviv. Më shumë se 400 raketa u hodhën nga  Gaza në drejtim të Izraelit shumica e të cilave janë kapur nga mbrojtjet raketore izraelite. Ushtria izraelite deklaroi se goditi më shumë se 50 objektiva ndërsa shpërthimet u dëgjuan në të gjithë Rripin e Gazës .

Sipas raporteve të mediave palestineze, sulmi kishte në shënjestër katin e fundit të një ndërtese në një kompleks banimi në Khan Younis në Rripin jugor të Gazës, duke vrarë disa njerëz mes tyre edhe fëmijë si dhe luftëtarë të Frontit Popullor për Çlirimin e Palestinës. Xhihadi Islamik Palestinez njoftoi më vonë vdekjen e Ali Ghalit, një komandant i lartë i njësisë së lëshimit të raketave. Ushtria izraelite ka bërë të ditur në një deklaratë  se Ali Ghali ishte përgjegjës për raketat e fundit të lëshuara në Izrael.

Ndërkaq Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu në lidhje me sulmet në Gaza u shpreh se fushata nuk ka përfunduar ende.

SINKRON BENJAMIN NETANYAHU KRYEMINISTËR I IZRAELIT: Do të jetë Izraeli që do të vendosë se kur do të kthehet qetësia në Gaza. Ne ju shohim kudo. Ju nuk mund të fshiheni dhe ne zgjedhim vendin dhe kohën për t’ju goditur. Kushdo që na dëmton, kushdo që dërgon terroristët kundër nesh do të paguajë çmimin.

Gjithashtu sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres dënoi vdekjet e civilëve në Gaza dhe apeloi që të ndalen menjëherë luftimet dhe që të gjitha palët të ushtrojnë përmbajtje maksimale. Numri i palestinezëve të vrarë në sulmet ajrore izraelite në Gaza është rritur në 24, ndërsa 64 persona janë plagosur, që nga e marta.

Sulmet ajrore janë të ngjashme me ato të vitit 2022, në të cilat Izraeli bombardoi vendet ku strehoheshin komandantët e Xhihadit Islamik, duke shkaktuar një sulm tre-ditor në të cilin grupi i mbështetur nga Irani humbi dy komandantët e tij të lartë dhe dhjetëra anëtarë të tjerë. Izraeli thotë se bastisjet në Bregun Perëndimor kanë për qëllim të çmontojnë rrjetet militante dhe të pengojnë sulmet e ardhshme.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share