Këto janë pamjet ekskluzive që sjell Tvklan.al nga Malmo e Suedisë.
Bëhet fjalë për protestues, mbi 10 mijë të tillë, të cilët kanë marrë rrugët e qytetit që mirëpret Eurovizionin për të protestuar kundër pjesëmarrjes së Izraelit në festival.
Të ardhur nga qytete të ndryshme të botës, njerëzit mbanin në duar flamujt e Palestinës. Protestuesit janë kundër pjesëmarrjes së Eden Golan, në mesin e luftës kundër Hamasit në Gaza.
Izraeli renditet krah Kroacisë dhe Zvicrës, si një prej të preferuarve për të pasuar Suedinë dhe për të fituar kompeticionin.
Sipas asaj që raportojnë mediat ndërkombëtare, policia pret që në demonstratën e kësaj të shtune në Malmo të marrin pjesë mbi 20 mijë persona.
Pjesëmarrja e Izraelit në Eurovision ka qenë një burim polemikash mes rritjes së vdekjeve civile dhe përkeqësimit të situatës humanitare në Gaza, ndërsa lufta midis Izraelit dhe Hamasit hyn në muajin e shtatë.
Këtë të shtunë zhvillohet finalja e 68 e Eurovizionit. Rreth 26 vende përfaqësohen në garën më të madhe muzikore në botë. Konflikti në Gaza e ka shoqëruar këto ditë këtë festë muzikore.
Megjithëse Unioni i Transmetuesve Europianë (EBU) përpiqet të pengojë që konflikti në Gaza të hedhë hije mbi muzikën, protestat e kanë shoqëruar këtë eveniment. Eurovizioni 2024 është shoqëruar nga protesta të gjera kundër pjesëmarrjes së Izraelit në garën muzikore. Të shtunën policia ndodhet në gjendje të lartë gatishmërie në Malmo dhe mbështetet nga forca policore nga Danimarka e Norvegjia./tvklan.al