VIDEO – Arrestohen dy persona në Shqipëri, kërkoheshin nga drejtësia italiane

Policia e Shkodrës ka vënë në pranga një 32-vjeçar. Ai kërkohej nga drejtësia italiane për pjesëmarrje në organizatë kriminale me qëllim trafikimin e drogës.

“Si rezultat i operacionit, u lokalizua në lagjen “Ndoc Mazi”, Shkodër,  dhe u arrestua provizorisht, me qëllim ekstradimin, shtetasi i shpallur në kërkim ndërkombëtar F. M., 32 vjeç. 32-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Milanos i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale ”Organizata kriminale me qëllim trafikimin e drogës”, sipas Kodit Penal të Italisë, ku parashikohet dënim deri në 20 vjet burgim për këtë vepër”, tha policia.

Më vonë, Policia e Kukësit njoftoi se ka vënë në pranga edhe një 31-vjeçar që po ashtu kërkohej nga autoritetet italiane.

“Në këtë kuadër, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës dhe si rezultat i shkëmbimit të informacioneve ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Roma, u ndalua dhe u vu në pranga, me qëllim ekstradimin drejt Italisë, shtetasi i kërkuar ndërkombëtarisht D. H., 31 vjeç, banues në Vlorë. Gjatë verifikimeve dhe intervistimit në vijë të dytë, në hyrje të vendit, rezultoi se 31-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, për veprat penale “Pjesëmarrje në grup kriminal” dhe “Trafikimi i lëndëve”, kryer në bashkëpunim më shumë se një herë, sipas parashikimeve të legjislacionit penal të Italisë”, njoftoi policia./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share