Maks Vershtapen ka fituar pole-position në Çmimin e Madh të Austrisë. Dy herë kampioni i botës realizoi performancën e gjashtë më të mirë në këtë kampionat botëror të Formnula 1.
Piloti tjetër i Red Bull, Serxho Perez u eliminua në kualifikueset 2, e kjo është hera e katërt radhazi për të në këtë kampionat. Komisarët e garës i anuluan meksikanit dy herë kohët për tejkalim të limitit të pistës. Vershtapen realizoi kohën më të shpejtë 1’04″391. Pas pilotit të Red Bull do të nisen dy makinat Ferrari.
Sharl Lekler ishte vetëm 49 të mijtat më i ngadaltë se sa holandezi, e pas tij garon Karlos Sainz, e rezultatet treguan se modifikimet kanë bërë punë te Kokëkuqja. Në vend të katërt në garën e së dielës do ta nisë Lando Noris, e pas tij shtatë herë fituesi i Formula 1, Ljuis Hemilton me Mercedesin e tij.
Vendi i gjashtë dhe i shtatë për pilotët e Aston Martin, Lance Stroll dhe Fernando Alonso. Pilotët e Formula 1, do të jenë të përqendruar për garën Sprint të së shtunës.
Klan News