Verstappen fiton Miami GP

Piloti i Red Bull doli i pari, ndërsa e nisi garën nga vendi i nëntë, Perez i dyti, ndërsa në podium hipi Alonso

Max Verstappen fitoi Çmimin e Madh të Miamit ndërsa e nisi garën nga vendi i nëntë e gjithashtu realizoi xhiron më të shpejtë. Piloti holandez e shton edhe më shumë diferencën me shokun e ekipit Serxho Perez që doli i dyti në renditjen e pilotëve të Formula 1. Kjo është gara e katërt që pilotët e Red Bull zënë vendin e parë dhe të dytë.

Në podium hipi edhe piloti i Aston Martin, Fernando Alonso. Kjo është hera e katërt që spanjolli del në vend të tretë në këtë sezon, ndërsa garën e nisi në radhën e parë. Në vend të katërt doli piloti i Mercedes Xhorxh Rasëll, pas tij ai i Ferrarit Karlos Sainz, në vazhdim Ljuis Hamilton, në vend të shtatë piloti i “Kokëkuqes” Sharl Lekler. Vershtapen e pozicionoi veten në vend të katërt pas 10 xhirave të para.

Në xhiron e 15, holandezi parakaloi Alonson dhe aty nisi dueli midis dy makinave Red Bull për vendin e parë. I pari në pit stop u fut Perez, duke i dhënë mundësi Vershtapenit që të krijonte diferencën në krye të garës, dhe 11 xhiro nga fundi vendosi që të futej në pit stop për të ndërruar gomat duke i dorëzuar sërish kryesimin meksikanit.

Por me goma të reja Veshtapen kishte avantazhin dhe dy xhiro më pas, ridoli i pari. Në renditjen e pilotëve, holandezi ka 119 pikë, 14 më shumë se sa Perez. Në vend të tretë renditet Alonso me 75.

Red Bull kryeson renditjen e konstruktorëve me 224 pikë, me Aston Martin në vend të dytë me 102 dhe Mercedes me 96 pikë në vend të tretë.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share