Moti i keq përfshin veriun e Italisë. Përmbytjet dhe rrëshqitjet e dherave goditën Cogne të Italisë në Valle d’Aosta ku rreth 200 njerëz u desh të evakuoheshin me helikopter.
120 persona të tjerë u evakuan edhe nga fshatrat alpine në rajonin fqinj Piemonte pas shirave të rrëmbyeshëm. Një familje prej tre anëtarësh, përfshirë një foshnjë 3-muajshe, u shpëtuan gjatë natës pasi përroi Orco në fshatin Montanaro doli nga shtrati. Situata nga përmbytjet detyroi autoritetet të shpallnin alarmin e kuq.
Në fshatin Noasca, lumi përreth po ashtu doli nga shtrati. Sipas meteorologëve moti do të jetë i paqëndrueshëm përgjatë gjithë javës. Në kontrast me veriun, jugu i Italisë është përfshirë sërish nga i nxehti ekstrem. Ndërsa temperaturat arritën 40 gradë Celsius. Autoritetet lëshuan alarm portokalli për 17 qytete duke përfshirë Catania dhe Palermo.
Ndërkaq, shtatë të vdekur pas stuhive që goditën Francën dhe Zvicrën. Tre persona në të 70-at dhe 80-at humbën jetën në rajonin verilindor Aube të Francës, kur një pemë ra mbi një makinë, ndërsa një tjetër u plagos rëndë. Në Zvicrën fqinje, katër persona humbën jetën dhe një tjetër rezulton i zhdukur. Tre humbën jetën pasi shirat e rrëmbyeshëm shkaktuan një rrëshqitje dheu në juglindje në kantonin Ticino. Një burrë u gjet gjithashtu i vdekur në kantonin jugperëndimor të Valais.
Shërbimet e sigurisë civile thanë se “disa qindra njerëz u evakuuan në Valais dhe rrugët u mbyllën pasi Rhone doli nga shtrati. Edhe javën e kaluar, Zvicra u përball me shira të rrëmbyeshëm që lanë të vdekur një person dhe shkaktuan dëme të mëdha.
Ndërkaq thatësira dhe temperaturat e larta kanë përfshirë Greqinë. Një zjarr i madh ka shpërthyer në juglindje të Athinës të teksa autoritetet presin që situata të përkeqësohet edhe më shumë gjatë valëve të të nxehtit gjatë verës.
Sipas mediave lokale, zjarri nisi në qarkun Keratea dhe flakët iu afruan shtëpive të banimit nxitur edhe nga erëra të fuqishme. Tre shtëpi u dogjën tërësisht ndërsa 140 zjarrfikës dhe ekipe të tjera të shpëtimit, tetë helikopterë dhe nëntë avionë u angazhuan për të shuar flakët.
Autoritetet aktivizuan alarmin për evakuim, duke u bërë thirrje banorëve që të evakuohen nga gjashtë zona afër kryeqytetit grek, Athinës. Ndërkaq një zjarr është përhapur edhe në një pylli në Zakynthos i cili shkaktoj zemërim. Në një video e publikuar në faqen Forecast Weather Greece, njerëzit argëtohen në një festival, ndërsa zjarri përhapej në pyll. Zjarri që ra në zonën e Agia Marinës dogji disa hektarë por nuk vendosi banesat në rrezik.
Ndërkaq i nxehti ka përfshirë edhe Poloninë. Njerëzit u dyndën në qendrën e qytetit dhe plazhet në qytetin port polak të Gdansk ndërsa temperaturat arritën 33 gradë Celsius. Autoritetet lëshuan një paralajmërim në Poloninë veriore dhe qendrore, autoritetet lëshuan gjithashtu paralajmërime për stuhi të forta deri në 120 km/h.
Klan News