Veriu i Italisë përfshihet nga moti i keq

Dëme në infrastrukturë dhe alarm i kuq është shpallur në disa rajone

Veriu i Italisë përfshihet nga moti i keq. Emilia Romagna sërish është bërë epiqendra e përmbytjeve.

Mbrojtja civile dhe agjencia rajonale e mjedisit lëshuan një alarm të kuq për shkak se lumenjtë ndodhen në pikën kritike.

Në zonat Piacenza dhe Parma, rrugët si dhe shkollat janë mbyllur, për shkak të rrëshqitjeve të dherave, ndërsa disa familje janë evakuuar pasi katet e para të ndërtesave u përmbytën.

Në Veneto, moti i keq ka detyruar autoritetet që ndalin udhëtimet, ndërsa njerëzve u është këshilluar që të mos dalin nga banesat. Era, shiu dhe breshri goditën Genova duke shkaktuar probleme në aeroportin Cristoforo Colombo dhe disa fluturime u devijuan në vende të tjera.

E njëjta situatë në Fiuli Venezia Giulia, reshjet intensive të shiut dhe stuhive bënë që Mbrojtja Civile të ngrinte nivelin e alarmit nga e verdha në portokalli. Në Venecia, uji për shkak të rreshjeve të fuqishme ka arritur në një metër e 54 centimetra, duke vënë në gatishmëri Mbrojtjen Civile për të shmangur përmbytje katastrofike.

Ndërkaq erërat e fuqishme, rrufetë dhe rrebeshet shkaktuan probleme në disa zona në Milano, duke ndërprerë energjinë elektrike për shumë familje, duke rrëzuar pemë dhe shtylla të tensionit të lartë, nga ku dy persona mbetën të plagosur. Liqeni i Komos është afër pikës kritike dhe rrezikon që të shkaktojë përmbytje në qytet ndërsa po mbahet nën monitorim.

Probleme me qarkullimin janë shkaktuar në zonën e Alpeve. Autostrada Brenner është mbyllur në drejtim të veriut në kufirin me Austrinë për shkak të rrëshqitjeve të dherave dhe dëmtimeve të shumta.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share