Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut ka reaguar pas vendosjes së një kryqi të madh në varrezat e fshatit Bajçinë të Podujevës.
Përmes një njoftimi, KMDLNJ ka deklaruar se lidhur me rastin janë njoftuar nga bonorët, të cilët e kanë konsideruar provokim dhe përpjekje për shpërfytyrim të varrezave të fshatit ku janë varrosur banorët e këtij fshati.
“E drejta e ushtrimit të lirë të besimit në Kosovë për të gjithë besimtarët është e garantuar me ligj. Sikur që çdo diskriminim në baza fetare duhet të sanksionohet me ligjet në fuqi. Vendosja e kryqit në varrezat e fshatit Bajçinë, pa asnjë dyshim ka për qëllim nxitjen e urrejtjes dhe mosbesimit në baza fetare dhe KMDLNj fuqishëm e dënon këtë shkelje të rëndë të drejtave të njeriut dhe ushtrimit të lirë të besimit. As në kohën e okupimit më të egër të Kosovës , regjimi i Serbisë nuk ka ndërmarrë një veprim të tillë”, thuhet në reagimin e KMDLNj-së.
Më tej, KMDLNj-ja tha se është e qartë se “këtë veprim të shëmtuar”, nuk e ka bërë një person i vetëm, ku kërkoi hetime të shpejta në mënyrë që sipas tyre, dhunuesit e të drejtave dhe lirive fetare të identifikohen, kapen dhe përballen me ligjin.