Vëllai përfitoi nga sëmundja e babait dhe mori shtëpinë, Liliana: Na mbylli derën, tha “bëni 10 gjyqe…”

Liliana ka ardhur nga Italia për t’u përballur me “Shihemi në Gjyq” me motrën e saj, Brunën që vjen nga Turqia.  Problemi është një banesë për të cilën Liliana dyshon se Bruna ka bërë një marrëveshje të fshehtë me njërin nga vëllezërit.

Ndërmjetësja e rubrikës së “E Diela Shqiptare” në Tv Klan shpjegoi më herët historikun e familjes. Familja Malo, me dy prindërit dhe 9 fëmijët, midis tyre Liliana dhe Bruna jetonin në një banesë shtetërore në pallat gjatë periudhës së regjimit komunist. Për shkak të gjendjes shëndetësore të nënës, babai i vajzave u dakordësua me një koleg, Solon Karagjozin për të ndërruar banesat sepse ky i fundit jetonte në një shtëpi private.

Komitetet ekzekutive të dy lagjeve vendosën që të shkruhej një kontratë dhurimi shtuar edhe lejimin e ndërrimit të banesave. Në vitin 1992, dy familjet u njohën si pronare respektive të banesave që kishin ndërruar. Dyshimi i Lilianës lind në momentin e privatizimit të banesës sepse në të jetonin dy prindërit, djali i madh, Bruna dhe motra e vogël, të tre beqarë. 6 fëmijët e tjerë ishin martuar, por certifikata e pronësisë rezulton nën emrin e njërit prej vëllezërve, Arqilesë që ishte martuar përpara viteve ’90.

Kjo është pikëpyetja e madhe e Lilianës, si ka ndodhur ky proces kur babai i tyre ishte kategorik në vendimin e tij që banesa të mos i përkiste vetëm njërit prej fëmijëve.

Bruna: Në vitin 1992 babai ynë sëmuret rëndë nga prostata dhe e çojmë urgjent në sital. Në kohën që ne e shtrojmë në spital, babain unë e kam patur edhe gjuetar, mbante gjithë armatimet, pistoletën, çiften, dokumentet, në një dollap të mbyllur, të kyçur që nuk ia prekte njeri, vetëm ai.

Eni Çobani: Babai ishte me armë sepse vinte nga pjesa e ushtrisë apo jo, po.

Bruna: Në këtë kohë që babai im shtrohet në spital një ditë vjen vëllai dhe babai i dorëzoi çelësin vëllait sepse kishte më siguri te vëllai, jo te mamaja, unë, t’i jepte çelës dhe ia dorëzon vëllait që ishte i martuar, i larguar. Ndërkohë ky vjen brenda në shtëpi dhe hap dollapin, ia kontrollon të gjitha dokumentet.

Liliana: Dokumentet e shtëpisë i ka bërë në emrin e vet, ka bërë sikur babi ia ka dhuruar. Babi nuk dhuronte asnjë gjë.

Eni Çobani: Pse je e sigurt që nuk dhuronte babai, Liliana? Pse nuk dhuronte babai?

Liliana: Babai nuk dhuronte sepse thoshte “shtëpia është e të gjithë kalamajve, sidomos e vajzave. Shtëpia është e vajzave sepse ti je përjashta”. Ai u martua, mori shtëpi tjetër dhe iku. E shiti atë shtëpinë që mori se ishte me Ministrinë e Brendshme që jepte shtëpi atëherë se punonin të dy në polici, burrë e grua dhe u futën. E shitën atë, mbaruan lekët, s’kishin ku të shkonin, u futën te nëna e te babai.

Bruna shton se deri në moshën 58-vjeçare ajo ka jetuar në këtë banesë sepse ishte beqare. Vëllai,  Arqileja ndërkohë i kishte kryer veprimet juridike për të marrë shtëpinë dhe nuk pranonte ta ndante.

Liliana: E nxori në rrugë vëllai, na përzuri të gjithëve, i mbylli derën të tërë motrave, i mori dokumentet. Ne i thamë që do të të çojmë në gjyq, ai tha “bëni 10 gjyqe, shtëpia është e imja”. I kërkonim dokumentet, i kërkonte babi dokumentet, i thoshte “m’i sill këtu sepse i dua unë”, ai vinte 5 minuta shihte mamin se nuk vinte kur ishte babi, por vinte kur s’ishte babi se nuk donte t’ia jepte dokumentet, t’ia kthente mbrapsht. Në njëfarë kohe, ai i kishte shitur, i kishte bërë të gjitha në emrin e vet. Shitur dhe blerë prapë me Astrit Demën, kunatin e nuses së vet./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share