Veliaj: Politika “përça e sundo” nuk funksionon më

“Transformimi i Tiranës ka rritur ekonominë e qytetit”

Politika e sharjes dhe përçarjes është një avaz i vjetër. Teksa mori pjesë në mbjelljen e pemëve tek parku i Liqenit Artificial, duke arritur shifrën 1 milion, kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj tha se politika “përça e sundo” nuk funksionon më në Shqipëri.

“Mezi e pres atë ditë kur në Shqipëri të mos politizojmë pemët. Nëse s’je dakord me një milion pemë, merre ti lopatën edhe mbill, po nuk duhet të mbjellësh urrejtje, nuk duhet të mbjellësh sherr, nuk duhet të mbjellësh përçarje. Politika ‘përça e sundo’ nuk funksionon më. Sot politika, jo ajo e partive, por politika e qytetit, duhet të jetë bashko, bashkëpuno, afroi njerëzit, lër një shenjë dhe kur secili mund të thotë kam një kontribut te ky 1 milionësh, atëherë secili e ka kryer misionin e tij si kryeqytetas”.

Ndërsa në videomesazhin e përjavshëm, kryebashkiaku Erion Veliaj tha se kryeqyteti po përjeton një rritje të turizmit, 48 % më shumë bizneseve të reja, si dhe 40% më shumë të punësuar me vitin 2015 kur ai mori drejtimin e Bashkisë së Tiranës.

“Tirana jonë nuk i ka pasur kurrë punët më mirë sesa sot. Nuk është perfekt, por më mirë se sot s’ka qenë kurrë. Kryeqyteti gjeneron gjysmën e ekonomisë së vendit, pra një bashki sa 60 bashki të tjera dhe falë politikave zhvillimore të Qeverisë dhe Bashkisë Tirana është kthyer në motorrin e zhvillimit ekonomik të vendit. Numri i bizneseve që ushtrojnë aktivitetin në territorin e Bashkisë së Tiranës, vetëm në këto dy mandate, është rritur me 48%”.

Kryebashkiaku Erion Veliaj tha se brenda pak javësh pritet të hapët piramida, qendra më e madhe digjitale në rajon, si dhe zona e lirë ekonomike në Kashar.

“Një nga pronat më të mira të qytetit, në mos më e mira, siç është Piramida e Tiranës, për pak ditë hapet si Qendra më e madhe e Teknologjisë dhe Inovacionit, ndoshta më e madhja në rajonin tonë, në Ballkan. Një ekosistem që do të akomodojë startup-e, inkubatorë dhe akseleratorë të biznesit, më e mira në rajon”.

Si pjesë e vizionit të Bashkisë së Tiranës, Veliaj tha se për 5 vitet e ardhshme është në plan të hapet Tirana Techno Hub, një strukturë moderne me një sipërfaqe prej 5000 metrash katrorë dedikuar fuqizimit dhe promovimit të inovacionit, startup-eve dhe teknologjisë.

Tv Klan

Lexo gjithashtu
Total
0
Share