Ezanin e dëgjoi, por namazin nuk e përfundoi.
Afrim Jashari ndërroi jetë të premten, pasi thirrja për lutjen e mbrëmjes u krye në xhaminë “Suudi Efendi” pranë Komunës në Prishtinë.
E vdekjen e tij e konstatuan mjekët në vendngjarje, raporton Klan Kosova.
“Është mbështetë në murin e xhamisë, në momentin që është thirr ezani atë e ka lëshu shpirti. Nuk ka pas ndonjë sëmundje kronike, mirëpo sëmundje të zakonshme të shpinës e këmbës, por jo ndonjë sëmundje e cila ka mundur të jetë rezultat i vdekjes, ka pas vdekje natyrale”, deklaroi djali i vëllait të Afrimit, Artan Jashari.
Ai bëri me dije se 53-vjeçari kishte pasur një ditë të ngarkuar me punë, si transportues i mallrave.
I njëjti ishte praktikues i fesë dhe xhumanë e kishte falur në Xhaminë e Llapit.
“Zemra është e mallëngjyer, syri loton, mirëpo ne nuk themi asgjë tjetër vetëm atë se të Allahut jemi dhe te ai kemi me u kthy”, tha tutje ai.
E besimtarët që faltoren e frekuentojnë gati rregullisht e konsiderojnë Jasharin me fat për vendin ku ndërroi jetë.
I ndjeri la prapa vetes gruan e një djalë dhe u varros të shtunën në orën 17 në fshatin Bellopojë të Podujevës. /Klankosova.tv