Vdekja e pacientit me fibrozë cistike, reagon Bekim Sali: Qeveria dhe kryeministri nuk siguruan mjetet për ilaçin

Ministri i shëndetësisë, Bekim Sali ka reaguar së fundmi në rrjetin social “facebook” në lidhje me mungesën e ilaçit Trikafta për pacientët me fibrozë cistike. Nga mungesa e ilaçit në fjalë, ndërroi jetë një pacient, për të cilin sot u protestua para qeverisë. Ministri Sali mohoi të jetë përgjegjës për mungesën e ilaçeve, pasi sipas tij, ai dhe ministria e kanë bërë detyrën, ndërsa ka qenë qeveria, ajo që është dashur të sigurojë mjetet për blerjen e ilaçit, përcjell Klan Macedonia.
“Nuk mund të hesht, as si njeri dhe as si ministër, kur mbi shpatullat e një tragjedie të tillë, bëhet përpjekje e ulët për pikë politike. Prandaj, ja faktet:
(1) Është fakt se Ministria e Shëndetësisë, që prej 27.01 ka kërkuar nga Qeveria të sigurojë mjete për furnizim të ri me terapinë për pacientët me fibrozë cistike. (2) Është fakt se përkundër kërkesës nga MSh-ja, as Qeveria e RMV-së, as personalisht kryeministri, deri dje nuk kanë vendosur që t’i sigurojnë ato mjete. (3) Është fakt se nuk ka terapi të mjaftueshme për shkak se nuk u soll ai vendim nga të tjerët, dhe jo për shkak të MSh-së. Prandaj, nuk e kam të qartë tentimin që t’i hidhedh faji MSh-së, kur as sigurimi i mjeteve dhe as furnizimi i terapisë nuk janë nën kompetencën tonë. Mjetet i siguron Fondi Shëndetësor, ndërsa furnizimin e bën klinika përkatëse. Por, as ata nuk mund të veprojnë pa vendim qeverie ose pa urdhër të kryeministrit. Prandaj, mendoj se është e papërgjegjshme ta zhvendosim përgjegjësinë. Nëse do të donim të garonim me deklarata politike, unë poashtu do të mund të përgjigjesha me pyetje: ai i cili, përkundër kërkesës së Ministrisë së Shëndetësisë, nuk ka miratuar mjete për ilaç për pacientë me një sëmundje të tillë të rëndë, a vlerëson se mund ta vazhdojë mandatin”, shkruan ministri Sali.
Më tej, Sali ka shkruar se ai nuk do të merret me deklarata populiste, me qëllim që, siç thotë ai, duhet të ruhet dinjiteti dhe njerëzorja.
“Do të mund të pyesim edhe nëse ndoshta shumë kohë dhe vëmendje është harxhuar për bisedimet e koalicionit, derisa pacientët prisnin. Megjithatë, vlerësoj se deklaratat e tilla populiste janë të papërshtatshme në raste të tilla. Unë e di se politika është profesion i paskrupullt, por ne megjithatë kemi obligim ta ruajmë dinjitetin dhe njerëzoren. Megjithatë të gjithë ne jemi pacientë potencialë në shëndetësinë publike dhe duhet të bashkëndjenjë për hallet e bashkëqytetarëve tanë, pavarësisht resurseve të kufizuara”, përfundon reagimi i Ministrit të Shëndetësisë, Bekim Sali./.KlanMacedonia.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share