Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, ka mohuar akuzat se gabimi i mjekut është shkaku i vdekjes së pacientes me Covid – 19 në Klinikën Infektive. Ai kërkoi kohë që të mësojë të vërtetën për rastin e vdekjes së pacientes me Covid – 19, përkatësisht arsyen pse ka vdekur si dhe të marrë informata konkrete nga institucionet kompetente. Ai tha se, pacientja që ka vdekur ka qenë se leukemi akute dhe është trajtuar sipas të gjitha protokolleve të parapara.
“E di që ato ditë, këto tre-katër ditët e fundit, në mos gaboj, ajo mori sërish terapi, që zakonisht është një periudhë e vështirë për pacientët pas terapisë për leukeminë akute. Kështu që, le të marrim të dhëna përfundimtare, por nuk ka asnjë neglizhencë mjekësore. Për këtë garantoj që pacientja është trajtuar sipas të gjitha protokolleve, garantoj që është bërë gjithë trajtimi i nevojshëm dhe kjo është e sigurt. Ne gjithashtu duhet të punojmë dhe të përmirësojmë kushtet për pacientët tanë. Megjithatë, për një gjë jam i sigurt se shkaku i vdekjes së pacientit nuk është se nuk kanë bërë terapi intensive në Klinikën Infektive”, tha Taravari.
Ai më tej shtoi se, sëmundje prej të cilës ka vuajtur pacientja është sëmundje me prognozë zakonisht të keqe, duke shtuar se, trajtim intensiv ka pothuajse në të gjitha klinikat.
“Ndërkohë, për pacienten është thirrur dhe konsultuar edhe anesteziolog dhe infektolog dhe janë dhënë propozime, megjithatë duhet ta mësojmë përfundimisht se, prej çka ka vdekur pacientja. Tashmë kam kërkuar raport me shkrim si nga Klinika e Hematologjisë ashtu edhe nga Klinika Infektive për të kuptuar se për çfarë saktësisht bëhet fjalë. Me sa di unë pacientja ka qenë e shtruar në spital dhe nuk besoj se arsyeja kryesore është se nuk ka respirator”, deklaroi Taravari.
Mbrëmjen e së dielës, një paciente 48 vjeçare e cila vuante nga leukemia dhe së fundmi është infektuar edhe me covid ndërroi jetë. Edhe pse paraprakisht ishte kërkuar që ajo të transferohej në Klinikën Infektive apo në Klinikën për Anestezion, Reanimacion dhe Mjekim Intensiv, kjo kërkesë nuk ishte realizuar. /tvklan.mk