Kanë vazhduar të mërkurën punimet te Ura e Ibrit në Mitrovicë, përkatësisht pjesën mbi urë dhe pjesët rrethuese të saj, nën praninë e disa njësive të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Të marren zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka thënë se kanë pranuar raportin fillestar për urën, ku sipas tij ky raport thotë se ura mbi lumin Ibër në veri është e “qëndrueshme dhe funksionale” dhe se ajo mund të përdoret për shfrytëzim pa asnjë kufizim ngarkese.
“Sapo kemi pranuar raportin nga testimi i kapacitetit të mbajtjes së strukturës së urës ekzistuese mbi lumin Ibër. Raporti konkludon qartë se struktura e urës mbi lumin Ibër është stabile dhe funksionale dhe si e tillë mund të përdoret për shfrytëzim pa asnjë kufizim në ngarkesë”, ka shkruar Durmishi në Facebook.
Po ashtu të martën Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, përmes një komunikate për media ka bërë thirrje për dialog dhe koordinim të ngushtë në lidhje me çështjen e hapjes së urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë.
KFOR ka kërkuar që çdo vendim që lidhet me këtë urë të merret përmes dialogut politik dhe në mënyrë të koordinuar, duke shmangur deklaratat dhe veprimet e njëanshme që mund të krijojnë tensione në rajon.
KFOR njofton se do të ndërmarrin veprime të menjëhershme në përgjigje të çdo zhvillimi të rëndësishëm të sigurisë.
“Ne kemi një prani të dukshme dhe fleksibël në mbarë Kosovën dhe komandanti i KFOR-it ka autoritetin për ta përshtatur atë sipas nevojës dhe nuk do të hezitojë të veprojë në përgjigje të çdo zhvillimi të rëndësishëm të sigurisë dhe në përputhje me mandatin tonë të OKB-së”.