Kërkimet për njërin nga dy alpinistët e humbur gjatë mbrëmjes së kaluar në malin Sharr vazhdojnë edhe mëngjesin e sotëm.
Nga QMK njoftojnë se bashkë me ekipet e shpëtimit, në terren ka dalur edhe drejtori i këtij institucioni, Stojançe Angellov, përcjell Klan Maqedoni.
Mbrëmjen e kaluar dy alpinistë duke shkuar drejt një shtëpize pushimi, afër vendit të quajtur Maja e Titos kanë humbur rrugën. Njërit prej tyre i është përkeqësuar gjendja shëndetësore dhe kanë kërkuar ndihmë nga Qendra për Menaxhim me Kriza në numrin e urgjencës.
Pas një kohe, njëri nga alpinistët është lajmëruar se shoku i tij ishte rrëzuar nga shkëmbi dhe nuk dihej asgjë rreth shëndetit të tij.
QMK në koordinim me Policinë e Tetovës dhe Njësinë e Zjarrfikësve filluan aksionin për gjetjen dhe shpëtimin e alpinistëve.
Pas disa orëve kërkim intenziv në kushte të vështira atmosferike, njëri prej tyre ishte gjetur me lëndime në kokë, por në gjendje stabile, ndërsa kërkimet për tjetrin vazhduan.
Për shkak të terrenit të vështirë dhe mungesës së rrjetit telefonik vështirësohet edhe marrja dhe këmbimi i informacioneve nga terreni. Nga QMK thonë se rreth mesditës mund të organizohet një konferencë shtypi me detajet nga vendi i ngjarjes./KlanMacedonia