Varhelyi kritikon Dodikun: Aleatët e BE-së nuk shkojnë në Rusi

Komisioneri për Fqinjësi dhe Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, më 17 maj paralajmëroi Bosnje e Hercegovinën se aleatët e BE-së nuk vizitojnë Rusinë. Këto deklarata ishin një tjetër shfaqje e zhgënjimit lidhur me vizitën që presidenti i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, zhvilloi vitin e kaluar në Rusi.

“Aleatët tanë nuk shkojnë në Rusi, ky është mesazhi im”, tha Varhelyi në pyetjen e gazetarëve lidhur me vizitën e Dodikut. “Kush dëshiron të jetë aleat i yni nuk shkon në Rusi”.

Bosnja, që më 2016 kishte aplikuar për anëtarësim në BE, dhjetorin e vitit të kaluar mori statusin e shtetit kandidat, pas shqetësimeve se lufta në Ukrainë mund të destabilizojë rajonin e Ballkanit. Megjithatë, shteti ka pranuar një listë të gjatë të kushteve që duhet të përmbushë, e të cilat synojnë të forcojnë demokracinë në këtë shtet ballkanik.

“Ne na duhet që Bosnje e Hercegovina të jetë aleate e jona”, tha Varhelyi gjatë konferencës për media në Sarajevë, pasi mori pjesë në një forum të nivelit të lartë politik, ku u diskutua për hapat që duhet të ndërmarrë Bosnja që t’i bashkohet BE-së.

Ai shtoi se është e rëndësishme që të dërgohet një mesazh i fuqishëm nga Bosnja që ky shtet të paraqesë një qëndrim të përbashkët. Varhelyi lavdëroi përparimin e bërë “në një kohë rekorde” për formimin e qeverisë dhe miratimin e buxheteve, pas zgjedhjeve të përgjithshme që u mbajtën tetorin e vitit të kaluar.

Ai po ashtu inkurajoi politikanët në Bosnje që të kryejnë reformat për të cilat janë pajtuar kur kanë marrë statusin e vendit kandidat. Por, deklaratat nga Dodiku së bashku me udhëtimin e tij në Rusi, ku ai u takua edhe me presidentin rus, Vladimir Putin, vënë në pah mungesën e unitetit në politikën e jashtme të Bosnjës.

Dodik veçse është kritikuar nga blloku evropian, pasi në janar ai i ndau Putinit çmimin më të lartë që jep entiteti i Republikës Sërpska. Ky vendim nxiti reagime dhe paralajmërime se Bosnja duhet të jetë më e kujdesshme lidhur me sundimin e ligjit teksa aspiron t’i bashkohet bllokut evropian.

Dodik ka kundërshtuar sanksionet e vendosura ndaj Moskës për pushtimin e paprovokuar të Ukrainës dhe po ashtu kundërshton pranimin e pavarësisë së Kosovës. Gjithashtu, ai ka tentuar që të ndajë ushtrinë, policinë dhe administratën tatimore të Republikës Sërpska nga Qeveria qendrore e Bosnjës, veprime që janë në kundërshtim me Marrëveshjes e Paqes të arritur në Dejton më 1995.

Rusia dhe Serbia kanë mbështetur në heshtje veprimet e Dodikut. Forumi politik në Sarajevë, që u mbajt më 17 maj, u kryesua nga Varhelyi dhe Borjana Kristo, kryetare e Këshillit të Ministrave të Bosnjës. Forumi u organizua nga Komisioni Evropian me synimin që të monitorojë zbatimin e rekomandimeve dhe raportimin e përparimit të Bosnjës në rrugën evropiane./REL

Lexo gjithashtu
Total
0
Share