“MARRËVESHJA DO TË NDËRTOJË RRUGËN PËR MARRËDHËNIE MË TË MIRA NDËRFQINJËSORE
Pas publikimit të raportit të Komisionit Europian mbi ecurinë e Maqedonisë së Veriut në rrugën e integrimit europian, komisioneri për fqinjësinë dhe zgjerimin, Oliver Várhelyi ka deklaruar për Klan Maqedoni, se marrëveshja politike e arritur midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, ka arritur të ulë tensionet midis dy vendeve dhe do të ndërtojë rrugën për një marrëdhënie të mirë fqinjësore afatgjatë.
Në një deklaratë dhënë korespodentes së Tv Klan nga Brukseli, Erisa Zykaj, Komisioneri Varhelji është shprehur optimist se raportet midis dy vendeve po shkojnë drejt përmirësimit.
“Mendoj, se marrëveshja politike që mundësoi aprovimin e kuadrit negociues dhe mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare BE- Maqedoni e Veriut ka përcaktuar kuadrin politik dhe institucional brenda të cilit të dy vendet duhet të tejkalojnë vështirësitë midis tyre; Shoh një rënie të tensionit që ka qenë prezent më parë midis të dyja palëve dhe shpresoj, që marrëveshja e arritur do të ndërtojë rrugën për një marrëdhënie të mirë fqinjësore afatgjatë. Prandaj e kemi bërë” – tha Varhelji.
Kujtojmë se më 16 Korrik me 68 vota “për”, Kuvendi miratoi konkluzionet për të ashtuquajturin propozimin francez, me të cilën zhbllokohen eurointegrimet e Maqedonisë së Veriut. Më pas në seancë qeveritare ishte miratuar vendimi që të pranohet ky propozim. Më 17 Korrik Shkupi dhe Sofja nënshkruan protokollin dypalësh me cka u hap mundësia që më 19 Korrik Maqedonia e Veriut dhe BE-ja në Bruksel ta mbajnë Konferencën e Përbashkët Ndërqeveritare. /KlanMacedonia/
https://youtu.be/icHv2iEYUYQ