Valë e re e sulmeve në Kiev dhe qytetet tjera ukrainase

Kievi dhe disa rajone tjera ukrainase janë përballur sërish me sulme ruse, kanë thënë të hënën zyrtarët ukrainas. Dëshmitarët në teren kanë raportuar për tym në disa ndërtesa, pas një serie sulmesh.

Në qytetin jugor, Marhanets, raketat ruse kanë goditur ndërtesa të banimit dhe një shkollë të mesme, duke lënë të vdekur një grua 31-vjeçare, ka thënë udhëheqësi i administratës rajonale, Valentyn Reznichenko. Oleksiy Kuleba, guvernator i rajonit të Kievit, ka thënë se mbrojtja ajrore ukrainase është aktive në kryeqytet.

Kryetari i Kievit, Vitali Klitschko, ka thënë se disa zona të kryeqytetit kanë mbetur pa rrymë si pasojë e sulmeve. Ihor Terekhov, kryetari i Harkivit, ka thënë se dy raketa kanë shënjestruar “objekte të infrastrukturës kritike” në qytetin e dytë më të madh të Ukrainës.

Raportime për sulme ajrore ka pasur edhe në rajonet Poltava dhe Kirovohrad. Sirenat mbarëkombëtare janë aktivizuar më 31 tetor.

“Humbësit rusë vazhdojnë të sulmojnë objektet e civilëve”, ka thënë Andriy Yermak, shef i kabinetit të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, më 31 tetor.

Në javët e fundit, Rusia ka kryer një valë të sulmeve ajrore, sulmeve me dronë dhe bombardime me artileri, duke shënjestruar infrastrukturën civile. Për pasojë, kanë vdekur njerëz dhe është shkatërruar më shumë se 40 për qind e infrastrukturës ukrainase të energjisë.

Prandaj, shumë familje rrezikojnë të përballen me dimër të vështirë, pasi ndërprerjet e rrymës veçse kanë nisur. Ndërkohë, në lindje të Ukrainës, komanda ushtarake ukrainase ka raportuar për beteja të ashpra në rajonin e Donjeckut.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt. Presidenti rus, Vladimir Putin, e konsideron luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën. Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL

Lexo gjithashtu
Total
0
Share