Valbon Limani zëvendëson Arben Taravarin në Gostivar/ BDI: Taravari e la komunën me mbi 15 milionë euro borxh

VALBON LIMANI ZËVENDËSON ARBEN TARAVARIN NË GOSTIVAR

Pas emërimit të Arben Taravarit për Ministër të Shëndetësisë, me komunën e Gostivarit do të udhëheq Valbon Limani. Këshilltarët e BDI-së reaguan ndaj Taravarit për të cilin thanë se e ka lënë komunën të zhytur në borxhe.

Ushtrues detyre kryetar i komunës së Gostivarit u zgodh Valbon Limani i cili ka qenë kryetar i këshillit komunal. Limani u zotua se do të realizoj premtimet e dhëna qytetarëve të Gostivarit.

“Prioritet mbeten të njëjtat deri në fund të mandatit. Kanë ngelur edhe një vjet e tre muaj, unë zotohem se në këtë kohë që ka mbetur të realizojmë një përqindje të madhe të premtimeve që ju kemi dhënë qytetarëve të Gostivarit dhe të gjithë premtimet e dhëna të realizohen”, tha Limani.

Pas zgjedhjes së Limanit reaguan këshilltarët e BDI-së, të cilët kritikuan Taravarin i cili siç thonë ata, ka lënë komunën me një borxh prej mbi 15 milionë euro.

“Më e rëndësishmja nga të gjithë, komuna mbetet e zhytur në borxhin më të madh në historinë e ekzistencës së sajë që kaplon shifrën mbi 15 milionë euro, por që realisht mund të jetë edhe më e madhe”, tha Vjollca baftiu Zylbehari, këshilltare e BDI-së.

Valbon Limani pritet të jetë kandidat për kryetar komune në Gostivar me mandat të plot në zgjedhjet e ardhshme komunale./tvklan.mk/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share