UT dhe Akademia për Studime Albanologjike, thellojnë bashkëpunimin

Rektori i Universitetit të Tetovës, Kushtrim Ahmeti priti sot në takim drejtuesit e Akademisë së Studimeve Albanologjike nga Republika e Shqipërisë, mes tyre Rektorin Luan Përzhita dhe Zëvendësrektorin, Valter Memisha.

“Rektori, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti shprehu konsideratën e tij për Akademinë e Studimeve Albanologjike, për kontributin dhe rolin domethënës për zhvillimin e arsimit sipëror dhe kërkimet shkencore, ndërsa drejtuesit e kësaj Akademie i njohu me zhvillimet në Universitetin e Tetovës dhe ecurinë e procesit mësimor-shkencor. Ai, po ashtu veçoi Marrëveshjen e nënshkruar kohë më parë mes Universitetit të Tetovës dhe Akademisë së Studimeve Albanologjike, e cila sipas tij duhet zgjeruar edhe me elemente dhe forma të tjera bashkëpunimi, që janë në funksion të projekteve të përbashkëta shkencore, hapjen e programeve të reja, me theks të veçantë hapjen e programit studimor të Arkeologjisë në Universitetin e Tetovës për studime deridiplomike”, thuhet në kumtesën e Universitetit të Tetovës.

Ndërkaq, siç thuhet në kumtesë, Rektori Luan Përzhita e ka cilësuar UT-në si “emblemë e arsimit të lartë në gjuhën shqipe për shqiptarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe më gjerë”.

“Në cilësinë e drejtuesit të Akademisë së Studimeve Albanologjike shprehu gatishmërinë jo vetëm për të bashkëpunuar në projekte të ndryshme, por edhe për ta ndihmuar Universitetin e Tetovës me pedagogë që do të angazhoheshin në mësimdhënie në programin studimor të Arkeologjisë. Ai deklaroi se institucioni i tyre e ka parësor kërkimin shkencor, por edhe studimet në ciklin e dytë dhe ciklin e tretë, duke mos anashkaluar një mori projektesh të realizuara me institucione, universitete të njohura dhe programe të përbashkëta ndërkombëtare”, thuhet më tej në njoftim./KlanMacedonia

 

Lexo gjithashtu
Total
0
Share