Ushtria izraelite tha të enjten se kreu sulme kundër shtatë pozicioneve të Hezbollahut në Libanin jugor, ndërsa njoftoi gjithashtu arrestimin e një shtetasi izraelit të dyshuar për përfshirje në një komplot të mbështetur nga Irani për të vrarë zyrtarë izraelitë.
Autoritetet izraelite thanë përmes një deklarate se personi i arrestuar ishte një biznesmen me lidhje në Turqi, i cili mori pjesë në të paktën dy takime në Iran dhe se objektivat e mundshëm të komplotit përfshinin kryeministrin Benjamin Netanyahu dhe ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant.
Arrestimi u bë muajin e kaluar, thuhet në deklaratë.
Përveç sulmeve izraelite të enjten, ushtria izraelite raportoi gjithashtu se disa dronë kishin kaluar nga Libani në territorin izraelit.
Ministri izraelit i mbrojtjes Yoav Gallant tha të enjten se ai kishte folur në telefon me Sekretarin amerikan të Mbrojtjes Lloyd Austin për situatën në rajon, duke përfshirë “mbrojtjen e Izraelit kundër kërcënimeve të Hezbollahut”.
Pentagoni tha se Sekretari Austin përsëriti “mbështetjen e palëkundur të Shteteve të Bashkuara për Izraelin përballë kërcënimeve” nga Irani, Hezbollahu dhe partnerë të tjerë iranianë në rajon.
“Sekretari Austin theksoi angazhimin e Shteteve të Bashkuara për të frenuar kundërshtarët rajonalë dhe përpjekjet për të ulur tensionet në të gjithë rajonin”, tha një zëdhënës i Pentagonit.
Shpërthimet e pajisjeve
Shpërthimet e pajisjeve të komunikimit “pager” dhe radiove të dorës pasuan njoftimin e Izraelit se po zgjeronte objektivat e luftës kundër militantëve të Hamasit në Rripin e Gazës, duke përfshirë mbrojtjen e Izraelit verior nga sulmet e Hezbollahut me raketa.
Por disa ish-zyrtarë të zbulimit argumentojnë se shpërthimi i pajisjeve “pager” të Hezbollahut, radiove të dorës dhe pajisjeve të tjera mund të jetë pjesë e një përpjekjeje izraelite për të realizuar objektivat e tij pa patur nevojë të luftojë.
“Ajo që Izraeli po përpiqet të bëjë është të arrijë të pengojë Hezbollahun që të mos kryejë sulme me 50-60 raketa në ditë, por pa rrezikuar një luftë më të gjerë”, tha Daniel Hoffman, ish zyrtar i CIA-s.
Zoti Hoffman i tha Zërit të Amerikës se operacioni, që dyshohet së është kryer nga Izraeli, mund të ketë qenë gjithashtu një përpjekje për të dobësuar pozitën e Hezbollahut në Liban.
“Ai synon të distancojë qytetarët e Libanit nga Hezbollahu”, tha ai. “Mesazhi është, ‘nuk duhet të jeni afër anëtarëve të Hezbollahut’”.
Ish zyrtari i CIA-s, Daniel Hoffman tha se, duke patur parasysh aftësitë e shërbimeve izraelite të zbulimit, nuk mund të përjashtohet mundësia e operacioneve ndaj llojeve të tjera të pajisjeve të Hezbollahut në të ardhmen.
Ish-zyrtarë të tjerë të zbulimit kanë sugjeruar se operacioni për të hedhur në erë pajisjet e komunikimit gjithashtu i jep Izraelit një avantazh nëse tensionet me Hezbollahun përshkallëzohen.
Sipas tyre, këto shpërthime të paktën kanë dobësuar aftësinë e Hezbollahut për të komunikuar në kohë krize dhe njëkohësisht nxjerrin militantët kryesorë nga fusha e betejës.
Hezbollahu filloi të përdorte pajisjet e komunikimit “pager”, pasi udhëheqësi i grupit i urdhëroi anëtarët të ndalonin përdorimin e celularëve mes shqetësimeve se Izraeli mund të përgjonte dhe gjurmonte komunikimet e tyre.