Forcat e Mbrojtjes të Izraelit kanë goditur sërish 10 objektiva të Hezbollahut në shtatë zona të ndryshme të Libanit jugor.
Një luftëtar i Hezbollahut mbeti i vrarë në Libanin jugor, sipas ushtrisë izraelite. Luftëtari u vra në Beit Lif, një fshat në provincën Nabatieh të Libanit. Sekretari amerikan i mbrojtjes Lloyd Austin ka deklaruar se konflikti Hezbollah-Izrael nuk është i pashmangshëm.
“Ndërsa ne kemi parë shumë luftime në kufirin verior të Izraelit, ne mbetemi të shqetësuar për potencialin që kjo të përshkallëzohet në një luftë të plotë. Dhe unë nuk besoj se një luftë është e pashmangshme. Ne do të donim t’i shihnim gjërat të zgjidheshin në një mënyrë diplomatike tha Sekretari i Mbrojtjes i SHBA Lloyd Austin”.
Fokusi i diplomacisë është përqëndruar në reagimin e Izraelit duke e nxitur atë të mos synojë Bejrutin me popullsi të dendur, periferitë jugore të qytetit që formojnë qendrën e Hezbollahut, ose infrastrukturën kyçe si aeroportet dhe urat. Nënkryetari i parlamentit të Libanit, Elias Bou Saab ka mbajtur gjithashtu bisedime me ndërmjetësin amerikan Amos Hochstein që nga sulmi i së shtunës në Golan për të penguar Izraelin të shmangë një përshkallëzim të madh.
Megjithëse të dyja palët kanë treguar më parë se nuk kërkojnë një konfrontim më të gjerë, luftimet e ashpra kanë shkaktuar shqetësime për një përhapje drejt një konflikti më të gjerë, më shkatërrues midis kundërshtarëve. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë ka bërë të ditur se Izraeli ka çdo të drejtë t’i përgjigjej sulmit të Golanit, por se askush nuk dëshiron një luftë më të gjerë.
Ndërkaq palestinezët po kthehen në pjesët lindore të Khan Younis pas tërheqjes së paparalajmëruar të forcave izraelite nga zona, duke e gjetur atë të shkatërruar kryesisht dhe duke e përshkruar atë si “një djerrinë të pabanueshme. OBSH ka bërë thirrje për armëpushim për të siguruar që vaksinat të arrijnë tek fëmijët, pasi nevojitet ndërhyrja e menjëhershme për të parandaluar përhapjen e epidemisë së poliomielitit .