Izraeli dhe Hamasi kanë rënë dakord që të zgjasin armëpushimin e përkohshëm në Gaza vetëm pak minuta para se afatit të paracaktuar mes palëve t’i vinte fundi.
Armëpushimi do të përfundonte në orën 5 të mëngjesit, por ushtria izraelite thotë se do të zgjatet nën përpjekjet e ndërmjetësve për të vazhduar procesin e lirimit të pengjeve të marra nga Hamasi.
Ai u zgjat për një ditë pasi Hamasi i dha Izraelit një listë të pengjeve të grave dhe fëmijëve që do të liroheshin gjatë ditës së sotme. Gjatë mbrëmjes të së mërkurës, 10 pengje izraelite dhe 4 shtetas tajlandezë u kthyen në territorin e Izraelit pas lirimit të grupit në Gaza.
Më herët, Izraeli tha se 2 gra ruso-izraelite gjithashtu ishin kthyer në Izrael, të cilat u liruan të mërkurën. Nga ana tjetër, shërbimi i burgjeve të Izraelit thotë se ka liruar 30 të burgosur të tjerë palestinezë.
Kujtojmë se konflikti i nisur me 7 Tetor ka shkaktuar 1200 viktima në Izrael, ndërsa Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi thotë se më shumë se 14 mijë e 800 njerëz janë vrarë nga Izraeli, duke përfshirë edhe 6 mijë fëmijë./tvklan.al