Ushtria e SHBA akuza Kinës për manovra të rrezikshme: Për pak sa nuk ndodhi përplasje me një bombardues amerikan B-52

Ushtria e SHBA është ankuar për një manovër të rrezikshme nga një avion luftarak kinez mbi Detin e Kinës Jugore. Në këtë incident, avioni kinez thuhet se ka arritur tre metra pranë një avioni ushtarak amerikan.

Sipas burimeve ushtarake amerikane, gjatë një manovre të rrezikshme nga një avion luftarak kinez mbi Detin e Kinës Jugore, për pak ka ndodhur një përplasje me një bombardues amerikan B-52.

Sipas raportit, piloti i avionit kinez J-11 erdhi në një mënyrë “të pasigurt dhe joprofesionale” rreth tre metra pranë bombarduesit amerikan, i cili “operonte ligjërisht mbi Detin e Kinës Jugore”.

J-11 kishte fluturuar poshtë dhe përpara aeroplanit. Incidenti ka ndodhur natën dhe me shikueshmëri të dobët, sipas Shteteve të Bashkuara. Ushtria publikoi gjithashtu një video që supozohet se tregon manovrën e avionit luftarak. Sipas SHBA sjellja e avionit ka shkelur standardet ndërkombëtare të sigurisë ajrore.

Incidenti ndodhi gjatë një vizite të ministrit të Jashtëm kinez Wang Yi në Uashington. Atje ai u takua me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Antony Blinken. Ai është planifikuar gjithashtu të takohet në Shtëpinë e Bardhë të premten me Jake Sullivan, këshilltarin e sigurisë të presidentit amerikan Joe Biden.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze fajësoi SHBA për situatën e paqëndrueshme në Detin e Kinës Jugore. Fakti që një avion ushtarak amerikan mori rrugën e gjatë drejt portave të Kinës për të treguar forcën e tij ishte shkaku i rrezikut të sigurisë në det dhe në ajër, tha Mao Ning. Kina do të vazhdojë të mbrojë integritetin e saj territorial, shtoi ai.

SHBA dhe Kina kanë akuzuar vazhdimisht njëra-tjetrën për sjelljen e rrezikshme të forcave të tyre në det dhe në ajër në Indo-Paqësor. Sipas të dhënave të SHBA-së, më shumë se 180 incidente kanë ndodhur që nga vjeshta e vitit 2021. Të enjten, Ministria e Mbrojtjes Kineze publikoi një video në të cilën anija e marinës amerikane “USS Ralph Johnson” supozohet se i preu rrugën destrojerit kinez “Guilin” me një kthesë të fortë. Kina akuzoi SHBA se duan të provokojnë me manovrën e 19 gushtit./DW

Lexo gjithashtu
Total
0
Share