Konsumi i lartë i ushqimeve ultra-të përpunuara (UPF), si patatinat dhe ëmbëlsirat, mund të rrisë rrezikun e osteoporozës dhe problemeve muskulore, sipas një studimi të fundit.
Hulumtimi, i kryer nga shkencëtarët në SHBA, ndoqi mbi 600 persona mbipeshë dhe zbuloi se ata që konsumonin më shumë ushqime ultra-të përpunuara kishin nivele më të larta të yndyrës të depozituara në muskujt e kofshës, pavarësisht numrit të kalorive apo nivelit të aktivitetit fizik, transmeton klankosova.tv.
Studimi sugjeron se këto depozita yndyrore mund të dëmtojnë cilësinë e muskujve dhe të rrisin rrezikun e osteoartritit të gjurit, një gjendje që shkakton dhimbje dhe dobësim të kyçeve.
Dr. Zehra Akkaya, bashkautore e studimit dhe kërkuese në Universitetin e Kalifornisë, tha se ”Risia e këtij studimi është se ai shqyrton cilësinë e dietës, veçanërisht rolin e ushqimeve ultra-të përpunuara në lidhje me yndyrën intramuskulare, e matur përmes rezonancës magnetike”.
Kjo nuk është hera e parë që ushqimet ultra-të përpunuara vihen nën akuzë.
Më parë, sipas Daily Mail, ato janë lidhur me sëmundje të zemrës, diabet dhe kancer.
Ekspertët rekomandojnë reduktimin e këtyre ushqimeve në dieta për të ruajtur shëndetin e kockave dhe muskujve.