Universiteti i Tetovës përkujtoi dëshmorët e kombit dhe heronjtë e universitetit – Senati ndau titujt Dëshmor dhe Heronj të UT-së

Me homazhe para varrezave të heronjve  dhe para Lapidarit “Flakadani i  Kujtesës”, si dhe me një akademi përkujtimore, Universiteti i Tetovës e shënoi sot Ditën e Dëshmorëve të Kombit, përcjell klanM.

Në këtë veprimtari me karakter kombëtar, që u mbajt në Amfiteatrin “Sevasti dhe Parashqevi Qiriazi” është përkujtuar edhe dëshmori i arsimit shqip, Abdylselam Emini dhe studentët e Universitetit të Tetovës, Zejadin Zymberi, Burim Huseini, Bedri Halimi dhe Xhemil Abdurrahmani, të cilët ranë dëshmorë në luftën e vitit 2001.

Rektori i Universitetit të Tetovës, Kushtrim Ahmeti u shpreh se, organizimi i akademive përkujtimore për këta atdhetarë që bënë historinë mbetet forma e vetme për të përjetësuar emrat e tyre në historinë kombëtare.

“Dëshmorët janë emra njerëzish që dolën nga gjiri i këtij populli, janë krenaria e këtij populli që e sollën lirinë në mesin tonë. Kur ndodhesh në mes kujtesës, për një të kaluar të hidhur dhe nën okupim, me të sotmen e lirë, atëherë, të gjithë duhet t’i kemi para syve tanë, protagonistët e të sotmes, e që janë vetë dëshmorët. Historia jonë kombëtare përshkruhet me ngjarje të shumta, të cilat sa janë të rëndësishme dhe të lavdishme, por njëkohësisht janë të dhimbshme dhe tragjike. Në kohën kur bota e civilizuar po kalonte procesin e globalizmit, të hapjes dhe të afrimit midis popujve, të mënjanimit të ndasive dhe të konflikteve, kombi ynë edhe më tej u përball me luftëra të tmerrshme, gjenocid e spastrim etnik nga pushtues të huaj”, deklaroi Rektori, Kushtrim Ahmeti.

Ndërkaq Senati i UT-së ka sjellë vendim që Abdulselam Eminit t’i ndahet titulli Dëshmor i Universitetit të Tetovës me arsyetimin për mëkëmbjen e arsimit të lartë në gjuhën shqipe, kontributin e veçantë në kultivimin e traditave atdhetare, të gjuhës, të historisë, si dhe përkushtimin për arritjen e aspiratave kombëtare për lirinë dhe demokracinë e popullit shqiptar.

Senati ka nderuar edhe heronjtë Xhemil Abdurrahmani, Zijadin Zymberi, Burim Huseini dhe Bedri Halimi me titullin Heronj të Universtitetit, për sakrificën sublime, kontributin e veçantë në zhvillimin e arsimit, në kultivimin e traditave atdhetare të gjuhës, të historisë, si dhe përkushtimin për arritjen e aspiratave kombëtare për lirinë dhe demokracinë e popullit shqiptar./KlanMacedonia

Lexo gjithashtu
Total
0
Share