Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Akademik Skënder Gjinushi me bashkëpunëtorët e tij, sot qëndruan për vizitë pune në Universitetin e Tetovës. Ata u pritën nga Rektori Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti dhe drejtues të tjerë të Universitetit. Në këtë takim Universiteti i Tetovës dhe Akademia e Shkencave të Shqipërisë, nënshkruan Memorandum bashkëpunimi.
Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Akademik Skënder Gjinushi tha se ndjehet i kënaqur që është ftuar nga Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti për të lidhur një marrëveshje të përbashkët. “Sigurisht, ky është një hap për vazhdimin e bashkëpunimit midis dy institucioneve tona: Akademisë së Shkencave dhe Universitetit të Tetovës. Një bashkëpunim i cili daton që në fillimet, hapat e para të ngritjes dhe përpjekjen për ngritjen e këtij Universiteti.
Ne e kemi ndjekur dhe e ndjekim me shumë kënaqësi forcimin e këtij Universiteti, rritjen e standardeve të tija në formimin e specialistëve të lartë dhe sigurisht që e ndjejmë të domosdoshme që të konkretizojmë dhe zgjerojmë gjithnjë më shumë bashkëpunimin me të. Marrëveshja e sotme, sigurisht është një marrëveshje që parashikon bashkëpunimin në të tëra fushat, pasi Universiteti mbulon pothuajse të gjitha fushat e dijes, ashtu si dhe Akademia për nga natyra e saj e ka misionin që të promovojë, zhvillojë, të nxis kërkimin shkencor në fushat kryesore të dijes. Arsimi edhe shkenca sigurisht ecin së bashku, pra ndihmojnë dhe mbështesin njëra-tjetrën dhe në këtë aspekt ka mundësi të shumta për të bashkëpunuar dhe pas arritjes së marrëveshjes do të shkojmë drejt konkretizimit të këtij bashkëpunimi duke ftuar edhe përfaqësues të Universitetit, nga specialistët më në zë, nga elita e profesoratit të Universitetit, të jenë edhe pjesë të strukturave që funksionojnë pranë Akademisë së Shkencave në hapësirat që lejon edhe ligji i ri për Akademinë e Shkencave dhe duke vazhduar më tej edhe me organizim të grupeve të përbashkëta dhe veçanërisht pastaj, meqë jemi në fazën e hartimit të tre projekteve të mëdha të albanologjisë, këtu patjetër që kërkojmë bashkëpunim më konkret me përfaqësues të Universitetit të Tetovës, me specialistë të historisë, të albanologjisë, të gjuhës apo edhe në fushat e tjera për sa i takon enciklopedisë shqiptare. Edhe njëherë shpreh kënaqësinë për arritjen e marrëveshjes e cila sigurisht është vetëm një gur në gjithë këtë bashkëpunim historik që ka midis dy institucioneve”, u shpreh Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Akademik Skënder Gjinushi.
Ndërkaq, Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti e falënderoi Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, konkretisht kryetarin, Prof. Dr. Skënder Gjinushin dhe stafin e tij, që sot e vizituan Universitetin e Tetovës dhe arritën një marrëveshje bashkëpunimi në shumë fusha të ndryshme. “Marrëveshja në vete ngërthen bashkëpunimin arsimor dhe shkencor, me bashkëpunimin e tillë dhe me mbledhjen e forcave dhe me tubimin e ekspertëve apo shkencëtarëve të trevave tona. Edhe më herët Akademik Skender Gjinushi e përmendi se, ne si trup hulumtues jemi i vogël dhe jemi të obliguar që patjetër të bashkëpunojmë ndërmjet veti që të arrijmë në hulumtime shumë më koncize dhe precize në arenën ndërkombëtare. Universiteti i Tetovës i është falënderues Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës për bashkëpunimin e mëhershëm që ka pasur dhe stafi akademik që e ka vizituar Universitetin e Tetovës, që kanë ligjëruar në Universitetin e Tetovës, sepse pedagogët e universiteteve të Republikës së Shqipërisë dhe Akademisë së Shkencave edhe ata e kanë dhënë ndihmesën shumë të madhe në ngritjen e këtij tempulli të dijes. Bashkëpunimi i Akademisë është një ide shumë e shkëlqyer, e vetë iniciativa që është e profesor Skënder Gjinushit. Vitin e kaluar, faktikisht në pranverë e kishim edhe panairin e hapur të botimeve më të reja në trevat shqiptare që bëhen, të revistave të ndryshme. E përgëzoj për atë aktivitet të shkëlqyer që e bëri. Besoj se edhe vitin e ardhshëm Akademik Skender Gjinushi do ta vazhdoni atë traditë të hapjes së panairit, kështu që Universiteti ynë pret ndihmesën më të madhe nga Akademia, edhe ne me forcat tona, me kapacitetet intelektuale dhe hulumtuesi që i kemi do të jemi në shërbim të Akademisë së Shkencave”, përfundoi Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti.
Bashkëpunimet me institucione të këtilla janë gjithmonë të frytshme për Universitetin tonë, pasi ndihmojnë në ngritjen e cilësisë së arsimit, zhvillimin e hulumtimeve dhe kërkimit shkencor si dhe mundësojnë shkëmbimin e përvoja me specialistë dhe profesionistë të fushave përkatëse.