United e Bayern në garë për Verratti

Italiani është i lirë të largohet nga PSG, ka arritur akord me Sauditët e Al-Ahli

Mançester Junajdi dhe Bajern Mynihu kanë treguar interes për mesfushorin e Paris Saint-Germain, Marko Verati.

Mesfushori italian është i lirë që të largohet nga PSG këtë verë, pasi i është thënë nga trajneri Luis Enrike dhe drejtori sportiv Luis Kampos se nuk bën më pjesë në planet e klubit parisien, raporton britanikja “Daily Mail”.

Verati ka një marrëveshje me Al-Ahli, por klubi saudit nuk ka arritur ende një akord me PSG.

Parisienët mund ta lënë të lirë lojtarin për shumën e 60 milionë eurove, ndësa italiani nuk ishte në fushë në dy takimet e para të ekipit në Lig 1.

Junajtid ka bërë investime të larta këtë verë duke sjellë në “Old Trafford” Rasmus Hojlund, Andre Onana dhe Meson Maunt.

Por trajneri Erik ten Hag ua ka bërë të qartë drejtuesve të klubit se ka nevojë për të tjera përforcime dhe 30 vjeçari mund të jetë mjaftë i dobishëm për ”Djajtë” në Premier Ligë dhe Europë.

30-vjeçarit i kanë mbetur edhe dy vite kontratë me parisienët.

Ai u transferua në “Park de Prins” në vitin 2012, ku ka zhvilluar 400 ndeshje me ekipin.

Me PSG, Verati ka fituar nëntë herë Lig 1 dhe gjashtë herë Kupën e Francës.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share