Biden: Rekord i uljes së çmimeve
Çmimi i naftës së papërpunuar në bursat ndërkombëtare ka pësuar një rënie të ndjeshme, duke arritur në nivelet para nisjes së sulmit rus në Ukrainë më 24 Shkurt. Në bursën e Teksasit, një fuçi naftë shitet këtë të premte me gati 89 dollarë për fuçi. Në atë të Londrës, ky çmim luhatet në kuotat e 94 dollarëve.
Për presidentin amerikan Joe Biden, bëhet fjalë për një rënie rekord çmimesh falë përpjekjeve të Shteteve të Bashkuara, për shtimin e prodhimit në gjithë botën, për të mposhtur presionin e Putinit në tregje. Rënia e çmimit lidhet me vendimin e Arabisë Saudite dhe kartelit më të madh të vendeve prodhuese të naftës në botë OPEC për të shtuar prodhimin me 100 mijë fuçi në ditë, duke nisur nga Shtatori.
Vendimi erdhi edhe pas vizitës së presidentit amerikan Joe Biden në Riad në mesin e muajit të kaluar, ku një prej thirrjeve kryesore ndaj sauditëve ishte rritja e prodhimit. Megjithatë, marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Riadit janë ftohur prej disa vitesh, për shkak të mosmarrëveshjeve për çështje që lidhen ndër të tjera edhe me të drejtat e njeriut.
Gjithsesi, analistët thonë se çmimi i naftës së papërpunuar nuk do të jetë i qëndrueshëm, pasi një ndër partnerët kryesorë të OPEC-ut është edhe Rusia, ndaj të cilës perëndimi ka vendosur bllokadë për naftën.
Tv Klan