Në një takim mes kryeministrit britanik, Keir Starmer dhe presidentit amerikan, Joe Biden, nuk u arrit asnjë marrëveshje për t’i dhënë leje Ukrainës që të përdor armët amerikane për të sulmuar objektivat ushtarakë brenda Rusisë.
Kur Starmer u pyet nëse e kishte bindur Bidenin që të lejonte Ukrainën të lëshonte raketa me rreze të gjatë Storm Shadow në Rusi, ai tha se ata kishin “një diskutim të gjatë dhe produktiv për Ukrainën”.
Shtëpia e Bardhë tha se ata shprehën gjithashtu “shqetësim të thellë që Irani dhe Koreja e Veriut po furnizojnë Rusinë me armë vdekjeprurëse”.
Presidenti rus, Vladimir Putin paralajmëroi vendet perëndimore që të mos lejojnë Ukrainën të lëshojë raketa me rreze të gjatë veprimi drejt Rusisë.
Putin tha se një veprim i tillë do të përbënte “pjesëmarrje të drejtpërdrejtë” të NATO-s në luftën në Ukrainë, shkruan bbc.
Duke folur me gazetarët përpara Shtëpisë së Bardhë, Biden tha se “unë nuk mendoj shumë se çfarë thotë Vladimir Putin”.
Deri më sot, SHBA dhe Britania e Madhe nuk i kanë dhënë leje Ukrainës që të përdorur raketat me rreze të gjatë veprimi kundër objektivave brenda Rusisë nga frika e përshkallëzimit të konfliktit.
Megjithatë, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky u ka bërë vazhdimisht thirrje aleatëve perëndimorë të Kievit që të lejojnë përdorimin e këtyre armëve, duke thënë se kjo është mënyra e vetme për t’i dhënë fund luftës.
Mbretëria e Bashkuar ka thënë më parë se Ukraina ka të drejtë të përdorë armët britanike për vetëmbrojtje, gjë që nuk përjashton operacionet brenda Rusisë, pas inkursionit të papritur ndërkufitar të Kievit.
Megjithatë, ai përjashton përdorimin e raketave me rreze të gjatë Storm Shadow në territorin jashtë kufijve të njohur ndërkombëtarisht të Ukrainës.
SHBA dërgoi raketa me rreze të gjatë veprimi në Ukrainë në fillim të këtij viti, por si aleatët e tjerë perëndimorë të Kievit, ato nuk janë miratuar për përdorim kundër objektivave thellë brenda Rusisë.
I pyetur nëse ai ishte i frikësuar nga kërcënimet e Putinit për një luftë të mundshme me NATO-n, Starmer tha se mënyra më e shpejtë për të zgjidhur luftën në Ukrainë “qëndron përmes asaj që Putini po bën në të vërtetë”.
Ai theksoi se takimi me Bidenin ishte një mundësi për të diskutuar strategjinë në lidhje me Ukrainën.
Ndryshe, Rusia ka nisur pushtimin e shtetit ukrainas më 24 shkurt të vitit 2022 duke shkaktuar mijëra viktima dhe dëme të shumta materiale. /Telegrafi/