Maqedonia është një nga vendet e cila, me fillimin e luftës në Ukrainë, i hapi dyert për refugjatët nga Ukraina. Megjithatë, ukrainasit që qëndrojnë këtu, nuk janë paraqitur si refugjatë, por qëndrojnë me vizë turistike, apo me leje qëndrimi për arsye humanitare.
Kështu që, ato nuk kanë të drejtë t’i shfrytëzojnë shërbimet që i kanë kërkuesit e azilit apo refugjatët, si për shembull shërbimet shëndetësore, ndihmë juridike falas, si dhe fëmijët nuk kanë të drejtë të ndjekin mësim këtu.
Kryetari i Shoqatës së Ukrainasve në Maqedoni, OleksandrUrbanoviq, thotë se, në Maqedoni refugjatët ukrainas mund të qëndrojnë si turist 90 ditë apo kanë leje qëndrimi për arsye humanitare, e cila ua lejon të qëndrojnë këtu një vit, me mundësi vazhdimi.
“Vitin e kaluar me këtë status ka pasur 365 njerëz, për këtë vit nuk kam të dhëna. Qëndrojnë te miqtë, familjarë apo me qira. Trajtim juridik ka vetëm për ata të cilat kanë nxjerrë leje për qëndrim të përkohshëm për arsye humanitare”, tha Urbanoviq.
Natalija është një ndër refugjatët nga Ukraina që qëndron në vend, por nuk ka status juridik të refugjatit apo azilkërkues.
“Unë nuk jam e regjistruar si refugjat, sepse planifikojmë të kthehemi, kam vetëm ID për arsye humanitare, me atë mund vetëm të jetojë në shtet, nuk kam as sigurim shëndetësor, as leje për punë”, thotë ajo e cila ka një fëmijë që shkon të çerdhe në Shkup.
Sa i përket nxënësve të tjerë nga Ukraina, Urbanoviq thotë se, të gjithë fëmijët ndjekin mësim online nga Ukraina, sepse planifikojnë të kthehen në Ukrainë pas luftës.
Sipas Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, çdokush ka të drejtë për arsimim dhe arsimi është i qasshëm për çdokënd në kushte të barabarta, ndërsa pasi Maqedonia eshtështet nënshkrues i ratifikimit të Konventës për statusin e refugjatëve nga viti 1951, ajo obligohet t’u jep refugjatëve trajtim të njëjtë sikurse qytetarëve të saj, në raport me qasjen në arsimin fillor.
Sipas drejtorit të Qendrës Pranuese për Azilkërkues në Shkup, Vladimir Bislimovski, të gjithë fëmijët, të cilët janë në arsim fillor, regjistrohen këtu në shkollë dhe ndjekin mësim së bashku me fëmijët nga vendi.
“Shkojnë në shkollën lokale në Vizbeg. Kemi angazhuar mësimdhënës, e cila i mëson në gjuhën maqedonase. Ku mësojnë gjuhën. Gjithashtu, kur bëhet fjalë për fëmijë, kanë për obligim t’i ndihmojnë rreth përgatitjes së detyrave të shtëpisë. Afërsisht, dy vite, të gjithë fëmijët që kanë ardhur në qendrën pranuese janë regjistruar në shkollë dhe në fund të vitit shkollor kanë mundësi të marrin dëftesë, sikurse edhe fëmijët tanë për klasën e përfunduar”, potencoi ai.
Në qendrën pranuese momentalisht nuk ka fëmijë që shkojnë në shkollë. Por, sipas të dhënave të Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale, momentalisht vetëm tre fëmijë janë të kyçur në mënyrë të rregullt në sistemin arsimor, një nga Siria dhe 2 nga Kongo.
“Sa i përket fëmijëve të lartpërmendur, mësimi për to është realizuar në gjuhën maqedonase, duke pasur parasysh se të njëjtët tash më disa vite janë në shtet, ndërsa në të kaluarën janë realizuar disa kurse për mësimin e gjuhës maqedonase, si për fëmijët, ashtu edhe për prindërit e tyre. Njëkohësisht, 2 prej këtyre fëmijëve ishin të kyçur edhe në aktivitete parashkollore (ishin regjistruar në çerdhe). Sipas ligjit për mbrojtje të fëmijëve, aktivitetet në çerdhe zhvillohen në gjuhën maqedonase dhe alfabetin cirilik. Për fëmijët e pjesëtarëve të bashkësive të tjera aktivitetet edukativo – arsimore në çerdhet për fëmijë janë realizuar në gjuhën e bashkësisë përkatëse për grupin e nxënësve, në pajtueshmëri me dispozitat e këtij ligji”, theksojnë nga MPPS.
Ndryshe, para disa viteve, vendi solli edhe një draft – propozim strategji të re për integrimin e refugjatëve dhe të huajve 2017 – 2027, e cila shqyrton edhe arsimimin e refugjatëve.
Propozim strategjia e re, përcakton se, arsimimi dhe mësimi i gjuhës do të jenë në krye të prioriteteve. Në këtë drejtim, Ministria e Arsimit dhe Shkencës, duhet të përgatisë programe arsimore për mësimin e gjuhës maqedonase si dhe të certifikojë programin për nivele të ndryshme të zotërimit të gjuhës që do të pranohen në kuadër të sistemit të arsimit dhe sistemit të trajnimit profesional në Maqedoni, si dhe të jep formalisht obligime për zbatimin e tyre dhe të certifikojë ofruesit e rekomanduar të shërbimeve.
Teuta Buçi
Storja u realizua në kuadër të programit të mentorimit për gazetarë të rinj të Forumit Arsimor Rinor në partneritet me UNHCR-në, Agjencinë e OKB-së për refugjatë, financuar nga Fondi i Mirëbesimit për Migracionin me më shumë Partnerë, në projektin e përbashkët të zbatuar nga UNHCR-ja dhe agjenci të tjera të OKB-së. Përmbajtja e storjes nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Fondit, UNHCR-së dhe agjencive të tjera të OKB-së.