Ushtarët ukrainas po rimarrin nën kontroll territoret pas tërheqjes së rusëve nga qyteti i Kherson. Këto filmime dëshmojnë qartë entuziazmin e banorëve që i shohin ata sërish pranë shtëpive të tyre.
Nga rrugët e këtij rajoni, qytetarët po zhdukin gjurmët e pushtimit rus.,
Pas 8 muajsh, në qendër të Kherson po valëvitet sërish flamuri ukrainas. Ndërsa në rrjetet sociale banorët vendas kanë publikuar pamje të ushtarëve të fundit rusë, që largohen më këmbë.
Gjatë tërheqjes, rusët shkatërruan urën “Antonivski” mbi lumin Dnjepër, lidhja kryesore e qytetit të Kherson me zonat jugore të këtij rajoni, që do të vazhdojnë të jenë nën kontrollin e trupave të Moskës.
Komandanti rus për Ukrainën, Sergei Surovikin tha tërheqja ishte e vetmja zgjidhje pasi rusët e kishin të pamundur të furnizonin trupat e tyre në Khersondhe se ata civilë që evakuuan, i shpëtuan nga rreziku i bombardimeve të vazhdueshme të ukrainasve.
Megjithatë, Kievi vazhdon të mendojë se tërheqja lidhet me një kurth të rusëve, ndaj dhe rimarrja nën kontroll e territoreve po bëhet me kujdes dhe do të zgjasë rreth një javë.