Zelensky: Sulmet terroriste, autoritetet europiane do të koordinojnë hetimet për mizoritë e kryera
Raketat ruse goditën ndërtesat civile dhe një qendër kulturore në qytetin Vinnytsia në Ukrainën qendrore , duke vrarë të paktën 12 persona dhe duke plagosur deri në 50 të tjerë.
Sulmi në Vinnytsia, larg vijës së frontit të luftës, ndodhi kur rrugët ishin plot me njerëz. Ndërkaq edhe një qënder biznesi si dhe disa makina u dogjën. Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky u shpreh se Rusia po e tregon qartazi se tanimë po kryen sulme terroriste në shumë territore ukrainase.
Forcat ruse gjithashtu intesifikuan luftimet edhe në Mykolaiv duke plagosur disa persona pasi raketat S-300 goditën disa shkolla dhe një hotel. Rusia nuk arriti asnjë përparim të rëndësishëm territorial gjatë 72 orëve të fundit në Donbas. Raporti i fundit i inteligjencës britanike thotë se në Donbas, forcat ruse vazhdojnë të kryejnë sulme me artileri të rëndë por ende asnjë përparim në horizont për marrjen e këtij rajoni nuk po ndodh.
Një marrëveshje për të rifilluar eksportin e grurit ukrainas është njoftuar me krijimin e një qendre koordinimi dhe monitorimi në Stamboll. Ministri i Mbrojtjes i Turqisë, Hulusi Akar tha se Ankaraja do të sigurojë që palët do të kontrollojnë së bashku ngarkesat e grurit në porte pasi zyrtarët nga Ukraina, Rusia, Kombet e Bashkuara dhe Turqia u takuan për bisedime në Stamboll një ditë më parë. Shefi i OKB-së, António Guterres i përshkroi bisedimet si një “hap kritik përpara”, por tha se duhej më shumë punë përpara se një marrëveshje të nënshkruhet javën e ardhshme.
Një bllokim prej më shumë se 130 anijesh mallrash të ngarkuara me grurë ukrainas po presin në Detin e Zi. Anijet janë duke pritur për të hyrë në rrugët e daljes përmes kanaleve të grykëderdhjes Sulina dhe Bystre për të arritur në një sërë portesh dhe terminalesh në Rumani nga ku mund të transportohet drithi në mbarë botën.
Ndërkaq prokurorët në Ukrainë po hetojnë krimet e luftës dhe autoritetet gjyqësore europiane do të mbajnë bisedime për të koordinuar hetimet mbi mizoritë gjatë pushtimit rus.
Klan News