Ukraina pretendon se ka vrarë mbi 100 ushtarë rusë në Herson

Ushtria ukrainase tha më 30 korrik se ka vrarë mbi 100 ushtarë rusë dhe ka shkatërruar dy depo municionesh gjatë luftimeve të fundit në rajonin e Hersonit, ku Kievi po përqendron kundërofensivën e tij më të madhe që nga fillimi i luftës.

Komanda jugore e ushtrisë tha se është ndërprerë qarkullimi i trenave nga Hersoni mbi lumin Dniepër, dhe kjo ka të ngjarë të izolojë edhe më shumë forcat ruse në perëndim të lumit. Po ashtu, një gjë e tillë, pritet të shkaktojë ndërprerje të furnizimeve për Rusinë nga Krimeja e aneksuar.

Një banor vendas ecën midis mbetjeve të ndërtesave të banimit të shkatërruara nga një sulm me raketa ruse, ndërsa sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës vazhdon, në vendbanimin Zatoka, rajoni Odesa, Ukrainë, 26 korrik 2022.

Javëve të fundit, Ukraina ka përdorur sistemet raketore me rreze të gjatë veprimi, që Perëndimi ia ka dhuruar, për të goditur tri pikë-kalime mbi lumin Dinepër. Këto sulme ia kanë bërë më të vështirë Rusisë furnizimin e forcave të saj.

“Si rezultat i luftimeve që vendosën nën kontroll lidhjet kryesore të transportit në territorin e pushtuar, është vërtetuar se qarkullimi hekurudhor mbi lumin Dniepër është i pamundur”, tha ushtria ukrainase përmes një deklarate.

Ushtria ukrainase tha se afër 170 ushtarë rusë dhe shtatë tanke janë shkatërruar në luftimet më 29 korrik në jug të Ukrainës.

Këto pretendime nuk kanë mundur të verifikohen në mënyrë të pavarur.

Rajoni i Hersonit, që kufizohet me Krimenë, ra nën kontrollin rus pak pas nisjes së pushtimit më 24 shkurt.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share