Moska pretendon dështimin e një kundërsulmi ukrainas në Donjetsk
“Ukraina ka ngritur një rrjet të gjerë sabotazhi në Rusi, që hakmerret për sulmet ruse brenda territorit ukrainas.”
Këtë ia kanë pohuar medias amerikane CNN, burime pranë agjencive të zbulimit të Shteteve të Bashkuara që thonë se ushtria ukrainase ka pajisur me dronë dhe ka trajnuar grupe brenda Rusisë për të kryer akte sabotazhi. Një prej rasteve është edhe sulmi i dështuar me dronë i 3 Majit mbi Kremlin, apo një seri sulmesh kundër rafinerive të naftës në territorin rus.
Ndërkaq, Moska pretendon se ka bërë të dështojë një kundërsulm i madh ukrainas në Donjetsk. Në një video të publikuar nga Ministria ruse e Mbrojtjes shfaqen momente gjatë luftimeve ku shkatërrohen disa makineri ushtarake, që rusët pretendojnë se janë ukrainase.
Sipas Moskës, gjatë betejës që tashmë ka marrë fund, janë vrarë 250 ushtarë ukrainas dhe janë shkatërruar 16 tanke. Kievi nuk ka bërë deri më tani asnjë deklaratë nëse e ka nisur apo jo kundërofensivën e shumëpritur që trumpetohet prej javësh.
Tv Klan